Privatizimi i egër në Kosovë i shoqëruar vazhdimisht me konteste pronësie sjell probleme edhe kur shtatoret e dëshmorëve duhet të lëvizin nga vendi. Fatin e keq po e përjeton shtatorja e dy dëshmorëve Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha, në qendër te Gjilanit, por në truallin e një ndërmarrje tashmë të privatizuar.

Shtatorja erdhi me vendim të komunës së Gjilanit në vitin 2004, por pa koordinim me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, e cila në vitin 2006 e privatizoi ndërmarrjen duke mos menduar për fatin e shtatores.

Aktualisht pronari i hotelit Mustafë Shala ka shprehur dëshirën ta zgjerojë biznesin e tij e bashkë me të edhe largimin e shtatores të cilat sic është shprehur në kërkesën drejtuar komunën, pengojnë ndërtimin e objektit të ri hotelier. Kjo madje është paraqitur edhe si projekt në komunë ku hoteli i ri do t’i afrohet shumë pranë shtatores dhe ajo do të mbesë nën strehën e hotelit.

Kjo ka nxitur reagimin e opozitës dhe familjarëve të cilët protestuan të premten kundër zhvendosjes së tyre. Qëndrim të kundërt ka kryetari i Gjilanit i cili mbështet kërkesën e pronarit të ndërmarrjes dhe propozon zhvendosjen e shtatores në pronë komunale.

“Kemi diku 20 hektar tokë, aty është i planifikuar një objekt i kulturës dhe unë mendoj që shtatoret do të qëndrojnë merkullueshëm para atij objekti. Por kjo punë nuk bëhet pa konsensus. Unë si kryetar komune nuk jam i interesuar për pakënaqësi për zhvendosjen e tyre”, tha Kryetari i Komunës Gjilan, Qemajl Mustafa.    
Vendimi ishte marrë në kohën kur kryetar i Gjilanit ishte Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ai thotë se rregullimi i brendshëm i qytetit të Gjilanit tani është e drejtë eksklusive vetëm e komunës dhe jo e biznesit privat.

“Kjo është pjesë e procesit që i tejkalon kërkesat e një binzesi, sepse duhen pëfshirë dhe të tjerët. Rolin për këtë duhet ta kenë veteranët e luftës, familjet e dëshmorëve dhe bashkëpunëtorët që përfishjnë këshillin që është marrë me ndërtimin asaj kohe. Unë si kryetar i Komunës së Gjilanit në atë kohë, kam krujar të gjitha proceset vendimarrjes së tokës dhe vendosjes së monumentit”, tha ish kryetar i Komunës së Gjilanit, tashmë deputet në Kuvendin e Kosoves LDK, Lutfi Haziri.

Tani gjithcka i mbetet këtij debati pas të cilit nëse aprovohet kërkesa e biznesit privat, shtatorja e dëshmorëve Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha do të vendoset përballë një hoteli gjigant sic edhe është paraparë në letër.

Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha ishin pjesë e komitetit të studentëve në kuadër të grupit revulucionar i cili do t’i shërbejë Lëvizjës Clirimtare të Shqiptarëve, si nisje e lëvizjes së pranverës studentore të vitit 1981. Që të dy ranë heroikisht mesnatën e 11 e 12 janarit 1984, gjatë përleshjes me forcat policore serbe, në Kodrën e Trimave në Prishtinë.

Top Channel