Ligji i Mbetjeve, PS: Referendum popullor

03/11/2011 00:00

Deputetët po diskutojnë mes debatesh ligjin për menaxhimin e integruar
të mbetjeve të rikthyer nga Presidenti i Republikës për rishqyrtim.

Deputeti socialist Sajmir Tahiri kërkoi organizimin e një referendumi popullor për projektligjin për importimin e mbetjeve, për të kuptuar nëse populli shqiptar është dakort me kthimin e vendit në një kosh plehrash jo vetëm të rajonit, por të mbarë Evropës.

“Mos bëni politikë me këtë projektligj. Merrni përsipër organizimin e një referendumi për të dëgjuar zërin e shqiptarëve”, tha Tahiri.

Sipas tij është e papranueshme që të importohen mbetje toksike që sjellin sëmundje të rënda si leucemi, kancer të formave të ndryshme, vetëm për shkak se sipas Tahirit, kryeministri Berisha dhe njerëzit e tij duan të përfitojnë para nga ky biznes.

Edhe kryetari i grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruci deklaroi se projektligji mund të diskutohet, nëse hiqet neni 22 për importin e plehrave në vendin tonë.

“Ne nuk lejojmë importin e plehrave. Duhet të hiqet neni 22 dhe më pas të ulemi të diskutojmë. Edhe nëse ju e miratoni këtë projektligj ne nuk do heqim dorë nga kërkesa jonë për të mos lejuar importimin e plehrave”, tha Ruci.

Kreu i grupit kuvendor theksoi se ky është një debat e gjerë jo vetëm në sallën e Kuvendit, por edhe jashtë ndërtesës së Parlamentit.

“Ta bllokojmë diskutimin këtu dhe të organizojmë një referendum popullor. Nuk e kuptojmë pse duhet miratuar ky ligj me kaq ngut dhe urgjencë”, theksoi Ruci.

Berisha: Nuk importojmë mbetje të rrezikshme

Kryeministri Sali Berisha deklaroi në Kuvend se mbetjet duhet të importohen, sepse ato nuk janë të rrezikshme dhe janë pjesë e listës së Gjelbër.

“Ne duhet t’i importojmë, sepse kemi nënshkruar një marrëveshje që në dy nene të saj i imponon Shqipërisë të lejojë qarkullimin e lirë të plehrave, jotoksike”, tha Berisha.

Sipas shefit të qeverisë, në Shqipëri do të importohen vetëm 50 mbetje nga 400 që janë në listë, dhe secila prej tyre do të hyjë sipas kushteve që do të vendosë Këshilli i Ministrave.

Klosi: Mafiozet duan te na mbushin me plehra

Deputeti socialist Blendi Klosi deklaroi në fjalën e tij se importi i mbetjeve do të ndikojë në të ardhmen e vendit.

“E kemi ne në dorë transformimin e vendit në një ambient turistik apo në një vend mbeturinash. Ligji që kemi në dorë nuk flet qartë për menaxhimin e plehrave.Neni 22 i ligjit e nxjerr maxhorancën zbuluar para shqiptarëve. Ligji është klientelist, mafiozët duan të mbushin Shqipërinë me plehra”, tha Klosi.

Ndërkohë ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu deklaroi se Brukseli mund të japë të dhëna nëse ligji për importin e mbetjeve është apo jo në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

“Duke nisur nga viti 2002 është lejuar importi i mbetjeve. Ato mbetje që do të hyjnë në Shqipëri, janë pjesë e listës së gjelbëër të lejueshme”, tha Mediu.

Protestë jashtë parlamentit

Aleanca Kundër Importit të Plehrave organizoi paraditen e së enjtes një protestë para Parlamentit kundër ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve.

Analistë të njohur të medias dhe përfaqësues të shoqërisë civile deklaruan se përmes reagimit qytetar do t’i bëhet presion Kuvendit të Shqipërisë që të mos votojë nenet e ligjit që lejojnë importin e mbetjeve.

Të rinjtë e levizjes Rinia Aktive kanë nënshkruar një peticion të firmosur nga 3 mijë qytetarë në mbarë vendin të cilën e kanë dorëzuar në kryesinë e Kuvendit.

Në peticion, të rinjtë kanë kërkuar kthimin për diskutim në komisione të ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve.

Debati mes paleve

Para pak ditësh, me shumicën e votave të deputetëve të mazhorances në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin u rrëzua dekreti i presidentit Bamir Topi, i cili ia ktheu për rishqyrtim Parlamentit ligjin për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve.

Veprimi i kreut të shtetit shkaktoi një përplasje të ashpër mes tij dhe Ministrisë së Mjedisit, e cila e kritikoi atë dhe e cilësoi një veprim politik.

Ndërkohë që Topi nga ana e tij reagoi në një mënyrë edhe më të ashpër, duke u sugjeruar qeveritarëve që, “të mësojnë komunikimin”.

Por vendimi i presidentit u kritikua edhe nga kryeministri Sali Berisha, i cili në një mbledhje të grupit të tij e cilësoi sërish atë si një vendim politik.

Një tjetër pikë e rëndësishme është fakti se ligji për menaxhimin e mbetjeve bie ndesh me Bankën Botërore dhe strategjitë ndërkombëtare.

Topi ktheu ligjin e mbetjeve

Presidenti i Republikes, Bamir Topi ka vendosur të kthejë për rishqyrtim në Parlament, ligjin për menaxhimin e mbetjeve.

Gjate sqarimit te motivit per mosdekretimin e ketij ligji, i cili u
kalua para vetem me shumicen e votave te maxhorance qeverisese,
Presidenti ka argumentuar se, neni qe parashikon importimin e
mbeturinave del jashte qellimit te ligjit.

“Kushtetuta e
Shqipërisë, dokumenti ynë themelor, udhërrëfyes i tërë veprimtarisë sonë
shtetërore dhe shoqërore, parashikon si një ndër objektivat socialë të
institucioneve shqiptare, synimin për
një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm”, thotë presidenti.

Në motivacion, Presidenti shpjegon se në bazë të Kushtetutës, vendosi
të mos e dekretojë ligjin, por ta kthejë edhe njëherë për rishqyrtim në
Kuvend, pasi në të ka gjetur mospërputhje dhe dispozita jashtë objektit
të vetë ligjit.

“Qëllimi kryesor i ligjit është marrja e
masave të nevojshme dhe të domosdoshme për menaxhimin e mbetjeve në
territorin e Republikës së Shqipërisë. Parashikimi i nenit 49, për
importin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë, vlerësoj se del jashtë
qëllimit të ligjit. Në një kohë kur i tërë ligji i është dedikuar
marrjes së masave dhe kryerjes së procedurave për menaxhimin mjedisor të
mbetjeve në Shqipëri, si një problem i rëndë dhe ende i pazgjidhur i
mjedisit shqiptar sot, krijimi i mundësive për import të mbetjeve të
vendeve të tjera, duket se bie ndesh me qëllimin e deklaruar për
“minimizimin e mbetjeve ose pakësimit të ndikimeve negative nga krijimi
dhe menaxhimi i integruar i mbetjeve”, apo “pakësimit të ndikimeve
negative të përgjithshme nga përdorimi i burimeve”, thuhet në
motivacion.

Presidenti u drejtohet deputetëve duke i kërkuar
shqyrtimin e ligjit me qëllim realizimin sa më të mirë të qëllimit për
të cilin është miratuar, menaxhimin e mbetjeve në territorin e
Republikës së Shqipërisë dhe mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të
njeriut.

Top Channel