Lagjet e reja pa ujë të pijshëm

03/11/2011 16:20

Drejtori i ujësjellësit të Tiranës, Sahit Dollapi, i kërkon Ministrit të Puneve Publike që planet urbanistike t’i parashtrohen edhe ndërmarrjeve të ujesjellësave për të ditur se ku do të ndërtohet, pasi siç dhe ka ndodhur në shumë raste, në Tiranë është ndërtuar në zona ku nuk ka pasur infrastrukturë ujësjellësi dhe qytetaret vuajnë ende mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm.

Nga ana e tij, Dollapi ka kërkuar që drejtoritë e shtrimit të rrugëve të planifikojnë edhe shtrimin e tubacioneve të ujësjellësit për zonat në zhvillim, me qëllim që rrugët të mos çahen sërish pas asfaltimit.

“Të gjitha zonat urbane ose ato që janë planifikuar për zhvillime urbane, paraprakisht duhet të pyeten për infrastrukturën, në mënyrë që puna të rakordohet me ujësjellësin, me kanalicimet, tubacionet, mënyrën e furnizimit. Kjo gjë deri tani shpesh nuk është respektuar. Janë ndërtuar blloqe pallatesh, shtëpi private jashtë këtyre kritereve të kërkuara, duke na detyruar që të bëjmë ndërhyrje të papërshtashme. Do të ishte mirë që përpara ndërtimit të rrugëve, të vendosej bashkarisht me ujësjellësin, për të hartuar në çdo rast një projektzbatimi”, u shpreh Dollapi.

Ministri i punëve publike, Sokol Olldashi, u kërkon ndërmarrjeve të ujësjellësit që të përmirësojnë marrëdhëniet me entin rregullator te ujit pasi tek e fundit është ky ent që përcakton çmimin e ujit te pijshem, ndërkohë që premton zgjidhje të dy problemeve të parashtruara nga Dollapi.

“Më duhet të konsultohem me Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, pasi nuk më duket se shtrimi i tubacioneve të ujësjellësit është një problem kaq i thjeshtë”, deklaroi Olldashi. “Është ndryshe nga teknologjia e fibrave optike apo kabllove të tjerë nëntokësor. Dakord, do të bëjmë një rrugë të re dhe duhet të fusim një tub të ri, por çfarë tubi do të fusim? Kjo mbetet një gjë për t’u parë me vëmendje”.

Ministri Olldashi, gjithashtu informoi se në vitin 2012 do të zgjidhet njëhere e mirë problemi i kanalizimeve të Tiranës së madhe ku do të investohen 100 milion dollarë nga qeveria japoneze, ndërkohe që një investim prej 60 milion dollaresh do te investohen në ujësjellësin e Durrësit .

Top Channel