Shtetërorja dhe privatja, dy anët e një medalje

02/11/2011 00:00

Ndue Dedaj – Shumë vite më parë, në fundin e viteve ’70, komitetet e Partisë në
rrethe, me orientim nga lart, bënin një studim mbi psikologjinë e punës
dhe pronës private, ku në përfundim u dilte se oborret kooperativiste
(kopshtet private të fshatarëve) jeshilonin gjithandej, kalliri i misrit
në to ishte si s’ka më mirë, kurse bimët e arave të “pronës së
përbashkët” ishin anemike, të ngrëna nga krimbi dhe rendimenti përherë
më i ulët.

Kështu ndodhte atëherë, kur 90 për qind e pronës ishte shtetërore, ndërsa ajo private ishte vetëm një ishullz. Kështu ndodh dhe sot, kur raportet e pronësisë kanë ndryshuar dhe tashmë është prona private ajo që mbizotëron, qëndrimi ndaj shtetërores është po ai, madje dhe më agresiv, shkatërrues e grabitës. Një sy i zakonshëm e bën menjëherë dallimin, ajo çfarë është shtetërore, nuk ka nevojë për koment, ka mbetur në të djeshmen, në mos është kthyer në “gërmadhë” dhe kur qëndron ende në këmbë. Bëhen përditë godina të reja private, ndonjëherë edhe publike, ndërkohë që kanë mbetur pa dyer e pa dritare, vetëm muret, shumë godina që dikur ishin: spitale, shtëpi kulture, postë-telegrafë, banka, ndërmarrje tregtare, bujqësore, zyra administrate, reparte ushtarake, shtëpi oficerësh, depo rezervash, hangarë. Është e habitshme se si brenda “çatisë” së një shteti merren mjedise private me qira nga subjekte shtetërore, teksa janë bosh dhjetëra godina shtetërore. Shkurt, shteti i paguan qira privatit (për zyra tatimesh, të buxhetit etj.), kur ka vetë mjedise të pafundme, vetëm se ato ende figurojnë në inventarët e dikurshëm të dikastereve përkatëse. Përse të mos ketë një ligj, që pa shumë procedura, këto godina të vihen lehtësisht në përdorim, administrim apo në pronësi të institucioneve shtetërore, që i kanë të nevojshme, në radhë të parë, komunave dhe bashkive.

Në cilindo qytet mund të shohësh se si xhamat e shkollave publike janë gjithkund të thyer, kurse ato të shkollave private janë “xham”, pa një të krisur. Në këto të fundit funksionon gjithçka, banjat, çezmat, ngrohja, pajisjet ruhen nga të gjithë, ka një ndërgjegje tjetër të nxënësve dhe punonjësve. Po ashtu janë problem mjediset e spitaleve publike, edhe pse në to janë kryer dhjetëra herë investime nga donatorë të ndryshëm, prapë disa nga dhomat e të sëmurëve janë me suva të rënë, dyer pa brava etj. Cilido ka vënë re se “shtetërorja” aty lë për të dëshiruar jo pak, nuk mungon vërtet përkushtimi i mjekëve, profesionalizmi dhe zotësia e tyre, por mungojnë gjëra të tjera, bie fjala, disa materiale për të kryer mjekimet, që shpesh duhet t’i sjellin familjarët e pacientit, dhe ta mendosh këtë, në një popullatë të varfër, me një milion të papunë, që nuk përfitojnë as sigurime shëndetësore. Dhe një situatë e tillë nuk është vetëm në spitalet e largëta, por ku e ku dhe në ato rajonale apo të Tiranës. Ecim më tej, në “ekskursionin” tonë, nëpër ndërtesat në pronësi të shtetit. Në një qytet verior, e vetmja godinë pa portë të jashtme prej vitesh, është ajo e ish-Komitetit Ekzekutiv, ku janë strehuar dy partitë kryesore politike, si dhe zyrat e arsimit, bujqësisë etj. Mjafton dhe kaq për të kuptuar “simbolin” e rënë të asaj që është shtetërore, e ku vetëm së fundi si duket është gjetur zgjidhja për ta bërë me portë atë godinë. Thuajse çdo ndërtesë e tillë është e vjetruar, e pamirëmbajtur, me pluhur e ndryshk, pasi shihet si e shtetit, domethënë e të gjithëve dhe e askujt, ndërkohë që çdo gjë private ndrit dhe është e paprekshme. Shihni makinat e policisë, vetëm muajt e parë ato janë të reja, kurse pastaj vijnë e shkatërrohen, mbytur nga balta dhe që tërhiqen zvarrë nëpër rrugët e qytetit, pasi mbeten pa naftë, pa larë, e lëshon njëri polic i gatshëm dhe e merr tjetri, ndërkohë që makinat e kontrabandistëve, me xhama të zinj, janë një luks më vete, më të mira se makinat e qeveritarëve. Makinat që mbulojnë shërbimet publike janë më të rëndomtat, për to nuk kujdeset askush, vetëm po qëlloi ndonjë shofer merakli. Shpesh nëpër vendngjarje shikon makina policie apo autoambulanca të “mjera”, si ai furgoni i Policisë së Vlorës, me të cilin u mbart trupi i pajetë i gjykatësit të ndjerë, pas atentatit që iu bë në një nga rrugët e qytetit. Po kështu zjarrfikëset e vërteta i shohim vetëm nëpër filmat e huaj, kurse ato tonat shpesh vijnë pasi të jenë shuar flakët. Është edhe gjendja e mjeteve dhe kultura e mangët e shërbimit. Para kësaj pamje të trishtë gjithkush ka të drejtë të pyesë: Pse shteti është në këtë pikë halli, kurse privati jo?

Shërbimi i transportit publik është dëshmia më e qartë e asaj që aty asgjë nuk funksionon sipas standardeve bashkëkohore, as autobusët urbanë, as trenat, as pastërtia në to, as biletaprerësit, që një lekë e fusin në xhepin e shtetit nga biletat e dy lekë në xhepin e tyre. Sektori shtetëror shihet si më i mundshmi për përfitime të paligjshme, ku një shkollë a spital bëhet rikonstruksion tri herë në 15 vjet dhe nuk përfundon asnjëherë. Ka tjetër mendësi te shtetërorja dhe tjetër te privati. Brenda ditës ti shkon në bankën private, ku janë në krye të detyrës që nga pastruesja te drejtori, i gjithë personeli, kurse në një institucion shtetëror askush nuk i bindet tjetrit, zyrat dhe mjediset janë plot pluhur, një porosi që e bën sot, mund të ta kryejnë pasnesër, pasi aty nuk ka as kamera vëzhguese ku dhe ai sekretari, më i vogli i nëpunësisë, e do një lek nën dorë për shërbimin shtetëror që të kryen. Le pastaj shefat sipër tij, me të cilët shpesh nuk e ke as shansin të dëgjohesh për hallin që ke, vetëm po qe se je në fushatë zgjedhore, atëherë po, të presin të gjithë, nga inspektori më i thjeshtë, te kryetari i shtetit apo i qeverisë.

Për disa kohë thirreshin në qendër të prefekturës elektricistët e një rrethi, edhe pse kabinat dhe linjat elektrike ishin larg në grykat e qafat e maleve; vetëm sa për t’u paraqitur në ndërmarrje, pastaj për t’u kthyer 50 kilometra mbrapsht. Po kështu edhe inspektorët e ndryshëm, pasi udhëtojnë po kaq kilometra për t’u parë nga shefat, kthehen nga kanë ardhur për të kontrolluar subjektet në rrethet e tyre. A ka kuptim kjo “varavingo” shtetërore dhe a mund të ndodhë kjo me privatin? Asnjëherë. Ai nuk ka kohë për të humbur. Privati përpiqet të kapë standardet europiane, pasi e di se nuk mund të konkurrojë në një treg fals, kurse entet dhe shërbimet shtetërore janë tepër larg për të qenë të kohës. Ka një mendësi të mbrapshtë për sa i përket asaj që është shtetërore, jo vetëm pronës, por dhe pozitës, sjelljes etj., aq sa duket se janë përvijuar dy kultura, ajo e edukatës, mirësjelljes, dhe miradministrimit në sektorin privat dhe ajo e arbitraritetit dhe zhvatjes në atë shtetëror. Vërtet është shoqëria, në kuptimin e gjerë të fjalës, ajo që do ta përmbysë këtë psikologji tribale, por është më së pari politika që lipset të ndikojë fort dhe me vendosmëri në këtë mes, është qeverisja në të gjithë përmasën e saj, jo vetëm se godinat që janë bërë pre e këtij degradimi janë me matrikullin e shtetit, por dhe se janë drejtuesit shtetërorë që mbajnë përgjegjësi për këtë gjendje të pronës publike, as e privatizuar plotësisht, as e administruar. Është koha për një vendimmarrje të re në këtë fushë, që të shpëtohet ajo që ka mbetur, pasi vështirë se mund të trokitet në BE, me luks vilash qeveritare në një anë dhe me institucione publike të arnuara në anën tjetër…

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB