Rrugët kryesore në veriun e Kosovës vazhdojnë të jenë të njëjta. Të bllokuara. Gjatë tetorit KFOR-i nisi një aksion për zhbllokimin e tyre, por barrikadat vazhdojnë të qëndrojnë ende, ndërsa pranë tyre edhe serbët që bëjnë kujdestari 24 orë në ditë.

Barrikadat nuk janë të vendosura vetëm në urën mbi lumin Ibër që ndan në jug dhe veri qytetin e Mitrovicës, por edhe në dy rrugët e tjera që çojnë në portat kufitare 1 dhe 31.

Që prej mesit të shtatorit barrikadat e bëjnë të pamundur qarkulimin e automjeteve nga pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës në atë jugore dhe anasjelltas.

Banorët që kalojnë përskaj saj janë lodhur nga kjo pamje e përditshme. Adem Mripa është banor i një lagjeje në veri të qytetit.

Ai thotë se çdo ditë ai dhe familja e tij kalojnë në urën kryesore mbi Ibër, përsipër barrikadës, ndërsa kërkon nga vendorët e ndërkombëtarët që ta zgjidhin sa më shpejt këtë problem.

“Nuk dua sa ta mendoj nëse do të kthehen apo jo anëtarët e familjes, apo nëse do të mund të kaloj unë. Ne po jetojmë me një stres të madh se kur do të marrë fund kjo”, shprehet Mripa.

Sipas tij, jeta në pjesën veriore të qytetit, të banuar me shumicë serbe, është e pasigurtë. Edhe qytetarët e tjerë kërkojnë zgjidhjen sa më parë të kësaj çështjeje, në mënyrë që t’i kthehen jetës normale.

“Ne nuk jetojmë më në atë pjesë sepse ma kanë djegur shtëpinë. Por presim që ata persona që jetojnë atje, tek Lagjia e Boshnjakëve, tek Kroi i Vitakut, që ballafaqohen me këto barrikada, të ballafaqohen me mënyra të tjera”, thotë Muhamet Kosumi.

KFOR-i duket se është më shumë për zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes dialogut, edhe pse kërcenon për forma të tjera.

Shumë takime janë zhvilluar me kryetarët e komunave paralele. Së fundi, në veri shkoi këtë të mërkurë edhe raportuesi për Kosovën në Këshillin e Evropës, Bjorn Fon Sidove.

Top Channel