Kabineti qeveritar grek votoi këtë të mërkurë pro thirrjes së kryeministrit Jorgos Papandreu për të mbajtur një referendum për planin e shpëtimit, sa më shpejt të jetë e mundur, raportoi rrjeti CNN në orët e para të mëngjesit.

Votimi ishte unanim, edhe pse disa prej ministrave kishin shprehur kritika para se propozimi të hidhej në diskutim.

Votimi i kabinetit qeveritar erdhi disa orë përpara takimit urgjent që Kancelarja gjermane Angela Merkel, Presidenti francez Nikolas Sarkozi dhe personalitete të larta nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimi Evropian, kishin parashikuar me zyrtarët grekë në Kanë, të Francës.

Takimi i tyre vjen një ditë pasi SHBA dhe tregjet evropiane të aksioneve ranë ndjeshëm, pas thirrjes së Papandreut për referendumin mbi ndihmën ndërkombëtare për vendin e tij.

Një votë “jo”, teorikisht mund të detyrojë Greqinë të dalë jashtë zonës euros dhe të tronditë sistemin global financiar.

Papandreu është duke kërkuar mbështetjen e popullit grek për marrëveshjen e shpëtimit, për të cilën u deshën muaj për ta arritur.

Por ky veprim ka krijuar trazira në politikën e brendshme dhe ka zemëruar homolgët e tij europianë. Nga kjo Papandreu është detyruar të mbajë një takim urgjent të martën vonë me Kabinetin e tij, nga ku doli edhe votimi.  

Top Channel