Albpetrol do të shitet 100 %

02/11/2011 00:00

Qeveria ka dërguar në kuvend një ligj të posacëm për privatizimin e
Albpetrol-it. Drafti, që pritet të diskutohet javën tjetër, ndryshe nga
privatizimet e tjera strategjike, parashikon shitjen e 100 për qind të
aksioneve të kompanisë së vetme publike të prodhimit të naftës.

Aktualisht Albpetrol zotëron 1264 puse aktive, që prodhojnë një sasi nafte prej rreth 135 mijë tonë në vit. Drafti i paraqitur nga qeveria në kuvend përcakton me hollësi edhe mënyrën se si do të shpenzohen paratë që do të arkëtohen nga shitja e Albpetrol-it. Albpetrol ka qenë në proces privatizimi që nga koha e qeverisë së socialistëve. Por tentativat për shitjen e tij kanë dështuar në më shumë se një herë. Këtë radhë qeveria e konsultuar edhe me Paton Bogs, ka vendosur që ndryshe nga privatizimet e tjera strategjike, për Albpetrol-in të privatizojë 100 për qind të paketës së aksioneve.  

Albpetrol nuk eshtë kompania e vetme që shfrytëzon puset e naftës në Shqipëri. Vec saj në vend prodhojnë naftë edhe disa kompani të tjera private, mes të cilave kanadezja “Bankers Petroleum” dhe kompania “Stream Oil”. Disa nga kontratat koncesionare për shfrytëzimin e rezervave të naftës, kohët e fundit kanë qenë objekt akuzash nga opozita, e cila pretendon për afera korruptive dhe favorizime.

Shpërblim për konsulentët në shitje

Drafti i parqaqitur nga qeveria për shitjen e kompanisë Albpetrol parashikon me hollësi edhe se si do të përdoren paratë, që do të arkëtohen nga shitja.

Në ligj qeveria ka përcaktuar edhe një tjetër shpërblim financiar për kompaninë Paton Bogs, që udhëheq konsulencën ligjore për privatizimin e Albpetrol-it. Top Channel ka mësuar se kjo tarifë që do i jepet si shpërblim “Paton Bogs” do të jetë sa 2 për qind e vlerës totale, me të cilën do shitet Albpetrol. Por kjo nuk është pagesa e parë që kompania Paton Bogs merr nga qeveria shqiptare për konsulencën në privatizimin e Albpetrol.

Fillimisht kur u nënshkrua kontrata në korrik të vitit 2010 “Paton Bogs” mori 25 milionë lekë ose 250 mijë dollarë. Kësaj pagese ju shtua edhe një fond shtesë. Një javë më parë qeveria miratoi një tjetër vendim, ku e shtoi pagesën për “Paton Bogs” edhe me 20 milionë lekë të tjera ose 200 mijë dollarë. Para të cilat përballohen nga fondi rezerve i buxhetit të shtetit.

Top Channel