“Do vazhdojme rrugën tonë dhe do të leme popullin të vendosë për fatet e tij”, ka deklaruar kryeministri grek, Papandreu në një mbledhje urgjente të kabinetit të tij, mbrëmjen e së martës.

Papandreu është përballur në orët e fundit me një rebelim te anëtarëve të partisë së tij pas deklaratave për zhvillimin e një referendumi popullor në lidhje me marrëveshjen e samitit të BE.
 
Një deputete e grupit parlamentar të PS ka dhënë dorëheqjen, tre të tjerë kanë deklaruar se janë kundër zhvillimit të referendumit, ndërsa edhe tre funksionarë të lartë të PASOK-ut kanë kërkuar qeveri të shpëtimit kombëtar, ku të mos jetë ai kryeministër.

Udhëheqësi grek ka ende 152 vende në parlament nga gjithesej 300, dhe po përpiqet të mos humbë shumicen, në një votëbesim që ka kërkuar të zhvillohet në mbrëmjen e së premtes.

Papandreu ka theksuar gjithashtu se interesa të mëdha bankare, të cilat mbrohen edhe nga disa ministra të kabinetit, luftojnë qeverinë greke dhe kërkojnë dorëheqjen që vendi të shkojë drejt katastrofës.

Ndërkohë pothuajse gjithë udheheqja e BE, ka reaguar ndaj kërkesës së befasishme të Papandreut për referendum dhe ka kërkuar anullimin e tij.

Nikolas Sarkozi, që ka deklaruar më herët se vetëm marrëveshja e samitit të BE do ta shpëtonte Greqinë, ka ftuar të mërkurën për bisedime në Paris, Papandreun, në një takim ku do të jetë e pranishme dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Tek ky takim shpreson edhe kreu i FMN Kristin Lagard që vlerëson se vendimi për referendum i Papandreut krijon probleme serioze teknike për lëvrimin e këstit të gjashtë të ndihmës si dhe krijon një pasiguri politike në vend.

Nga ana e saj Shtëpia e Bardhë në një deklarate të fundit ka theksuar se vendimi i kryeministrit grek për referendum përforcon nevojën që BE të zbatojë sa më shpejt planin për përballimin e krizës së borxhit.

Zhvillimet në Athinë kanë shkaktur rënie të mëdha të indekseve të bursave europiane si dhe të asaj të Nju Jorkut.

Top Channel