Eurodeputetja Doris Pack po zhvillon një vizitë në Kosovë, prej nga ka hedhur poshtë idenë e pakos “Ahtisari Plus”, duke theksuar se veriu është pjesë e Kosovës.

Në takimin me kryeministrin Hashim Thaci, Pack ka shprehur mbështetje të plotë për vendosjen e rendit dhe sundimin e ligjit në tërë territorin e shtetit të Kosovës.

“Veriu është pjesë e pandashme e Kosovës. Barrikadat janë një formë jodemokratike protestash, pasi ato mohojnë të drejtën themelore të lirisë së lëvizjes”, ka deklaruar Pack.

“Pakoja e Ahtisarit shërben si një platformë e cila garanton dhe ofron të drejtat më afirmative për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, ka vijuar ajo.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe kryeministri Thaci, i cili ka nënvizuar se pakoja e Ahtisarit nuk do të hapet, pasi kështu si është ofron garancitë më optimale.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe pakoja e presidentit Ahtisari garantojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, si dhe ofrojnë standartet më të larta në Evropë për garantimin afirmativ të të drejtave të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, ka theksuar Thaci.

Veriu i Kosovës po kërkohet me ngulm nga disa qarqe të caktuara politike të Beogradit, të cilat insistojnë që cështjen ta fusin mes temave të dialogut dypalësh me Prishtinën.

Top Channel