Gjashtë anëtarë kyc të partisë greke në pushtet, Pasok, i kanë bërë thirrje kryeministrit Jorgo Papandreu që të japë dorëheqjen, një ditë pasi ai bëri thirrje për një referendum për paketën e ndihmave të BE-së.

Papandreu ndodhet në një moment shumë të vështirë, edhe për faktin se pak më parë një deputet braktisi koalicioni e tij, duke e lënë me 152 mandate nga 300 që ka parlamenti grek.

Ndërsa një tjetër deputet i partisë socialiste, Vasso Papandreu bëri thirrje për unitet qeveritar për paketën e ndihmave dhe për zgjedhje të parakohshme sa më shpejt.

“I bëj thirrje presidentit që të thërrasë këshillin e liderëve politikë me qëllim formimin e qeverisë së shpëtimit kombëtar për të ruajtur paketën e BE-së dhe më pas të mbahen menjëherë zgjedhjet”, tha deputeti.

Opozita: Zgjedhje të parakohshme

Apel për zgjedhje të parakohshme ka bërë edhe partia kryesore e opozitës, e cila e ka kundërshtuar kategorikisht opsionin e referendumit.

Lideri konservator Antonis Samaras tha se plani për një referendum vë në rrezik anëtarësimin e Greqisë në Bashkimin Evropian.

Zoti Samaras, lider i partisë kryesore opozitare, Demokratët e Rinj, u takua me presidentin grek Karolos Papulias për të zhvilluar bisedime mbi situatën.

Tregjet evropiane ranë ndjeshëm të martën për shkak të frikës se ndihma e BE-së kishte filluar të dështonte.

Javën e kaluar, liderët e eurozonës ranë dakord për paketën prej 100 miliardë eurosh për Athinën dhe faljen e 50 për qind të borxhit të saj.

Si këmbim, Greqia duhet të kryejë shkurtime të thella të shpenzimeve publike, pensioneve dhe rrogave, si dhe të punonjësve të administratës shtetërore.

Top Channel