“Shqiptarët janë një popull fisnik por, nuk besoj që po aq fisnik janë edhe udhëheqësit e shtetit shqiptar. Teksa Shqipëria po ecën në zhvillimin e saj ekonomik përplasjet politike ndërmjet dy forcave kryesore atje lënë shumë për të dëshiruar”. Kështu deklaroi në Prishtinë ish-Ministri për Europën në qeverinë e Londrës, Dennis MacShane.
“Do të ishte mirë që të arrihej një stabilitet politik në Tiranë, në vend që sa herë dikujt të mos i pëlqejë diçka që z.Berisha bën, të ndodhin demostrata masive dhe njerëzit të vriten apo anasjelltas. Ekonomia shqiptare po shkon mirë dhe populli shqiptar është shumë i mirë, por kur ata kanë të bëjnë me politikë të tillë, është për të ardhur keq”
Sa i përket zhvillimeve politike në Kosovë, z.MacShane tha se Serbia dhe Kosova nuk mund të kenë dialog konstruktiv përderisa shteti serb me fonde që merr si ndihmë prej BE-së po vazhdon të financojë strukturat paralele në veri, me ç’rast i bëri thirrje BE-së të ndalë dhënien e fondeve.
“Unioni Evropian jep 200 milionë euro në vit për mbështetjen e Serbisë. E mbi 200 milionë euro në vit gjithashtu jep Serbia për mbajtjen e strukturave paralele në Kosovë. Prandaj unë dëshiroj t’i them njerëzve në Unionin Evropian që këto para duhet të ndërpriten. Kosova është gjithashtu viktimë e fuqive politike jo vetëm sa i përket raportit me Serbinë. Kjo ka të bëjë sidomos në OKB e cila nuk po e njeh Kosovën. Komuniteti ndërkombëtar refuzon të njohë Kosovën në vend se të rishkruaj Rezolutën 12 44 që është njëri nga tekstet më të këqija të shkruara në historinë Kombeve të Bashkuara.
Me tej, ai tha se Kosova është viktime e standardeve të dyfishta të disa fuqive politike. Ai foli edhe për raportin e Dick Maryt ndërsa tha se s’ka asgjë të vërtet nga ato pohime.
“Nga largimi i tij nga Këshilli i Evropës dhe nga skena e politikës zvicerane, ka qenë në Beograd përpara disa ditësh, fakt që duket shumë interesant. Kjo është njëra ndër seritë me skandaloze dhe me te turpshmet në historinë e Këshillit te Evropës, që kanë lejuar këtë raport të dalë pa asnjë provë”
McShane tha se Beogradi nuk mund ta sundojë më Kosovën. Këtë sipas tij e pranojë privatisht edhe liderët në Serbi, por siç thotë ai, Tadiç ndryshe flet në Beograd e ndryshe në Bruksel. Vizita e McShanne në Kosovë u bë pak ditë pas publikimit të librit të tij “Pse Kosova është ende e rëndësishme”. Në këtë libër, ish-Ministri britanik jep fakte se Kosova ka ende rëndësi për perëndimin.
Top Channel