Motra e ‘viktimës’ së Epstein denoncoi abuzimet para 27 vitesh, FBI heshti. Zbulohen dosjet NATO përfundon të hënën zyrtarisht operacionin
ushtarak në Libi, nisur prej shtatë muajsh. Aksioni luajti një rol të
rëndësishëm në rrëzimin e regjimit tëkolonel Muammar Gaddafi-t.
Njoftimi formal, që pritet të bëhet gjatë ditës, pason votimin unanim të javës së kaluar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për t’u dhënë fund operacioneve ushtarake më 31 tetor.
Vendimi erdhi shtatë muaj pasi në mars Këshilli autorizoi “të gjitha masat e nevojshme” për të mbrojtur civilët nga sulmet e forcave të Gaddafi-t, i cili u vra gjatë luftimeve në Sirte më 20 tetor.
Këshilli Kombëtar Tranzicional i Libisë i kërkoi NATO-s të vazhdojë operacionin e tij ushtarak të paktën deri në fund të këtij viti.
Rasmussen: Detyra u krye
Sekretari i Përgjithshëm Anders Fogh Rasmussen deklaroi nga Brukseli se detyra në Libi, u krye.
Rreth 26.000 herë fluturuan avionë të aleancës ushtarake që prej fundit të marsit mbi Libi: për të zbatuar ndalimin e fluturimit mbi Libi, për të penguar furnizimin me armë, për të bombarduar trupat e Gaddaffit, strukturat e komandimit dhe depot e armëve. Emri i operacionit “Unified Protector” (Forca mbrojtëse e bashkuar) edhe nëse në të nuk morën pjesë të 28 shtetet anëtare të NATO-s. Gjermania për shembull qendroi krejtësisht e tërhequr nga aspekti operativ. Megjithatë, i kënaqur Rasmusseni arrin në konkluzionin: “Operacioni “Unified protector” është një nga operacionet më të suksesshme në historinë e NATO-s”.
Sipas Rasmussen-it, NATO-ja veproi shumë më shpejt se çdo herë tjetër. U deshën vetëm pak ditë, derisa ajo e mori komandën. U veprua në mënyrë më precize se kurdoherë më parë- këtë e konfirmon edhe numri krahasimisht i vogël i viktimave civile nga sulmet e NATO-s, të ashtuquajturat dëme kolaterale. Dhe tani, shton Rasmusseni, është detyrë e libianëve që ta ndërtojnë demokracinë.
Libia pas Gaddafit
“Ka natyrisht shumë për të bërë, për të ndërtuar një Libi të re, e cila të bazohet në pajtim, në respektimin e të drejtave të njeriut dhe në shtetin juridik.”
Sipas Rasmussen-it, NATO-ja është e gatshme që të japë ndihmën e saj në këto drejtime – por vetëm nëse për këtë ndihmë ekziston nevoja dhe ajo kërkohet. Për shembull, kur bëhet fjalë për të reformuar aparatin e sigurisë dhe të mbrojtjes. Megjithatë, një rol të rëndësishëm aleanca ushtarake nuk do të luajë në të ardhmen në Libi. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s është i bindur se këtë mund ta bëjnë të tjerë, si për shembull Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Negociata me Gaddafi-n e ri
Ndërkohë, Gjykata Penale e Hagës deklaroi se ka vendosur me anë të ndërmjetësve “kontakte jozyrtare” me birin e Gaddafit, Saif el Islam, i cili kërkohet me urdhër ndërkombëtar arresti. Ai konsiderohet i pafajshëm, deri në momentin kur të jetë konfirmuar faji i tij, deklaroi kryegjykatësi Luis Moreno-Ocampo. Nëse Gaddafi i dorëzohet Tribunalit, ai ka të drejtën që ta dëgjojnë. 39 vjeçarin e akuzojnë për krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit disa mujor të Libisë.
Se ku ndodhet i biri i Gaddafit është e paqartë. Sipas Moreno-Ocampos, një grup mercenarësh besohet se i ka ofruar Seif al Islamit që ta dërgojë në një vend afrikan, i cili nuk e njeh Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Prandaj Haga po shqyrton mundësi që ta kapin atë në ndonjë avion mbi hapësirën ajrore të një vendi, i cili e njeh Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Veç Saif al Islamit kërkohet me një urdhër arresti edhe ish-shefi i shërbimit të fshehtë, Abdallah Senussi.
Top Channel