Ku ndryshojnë konkluzionet

31/10/2011 20:00

Gjykata e Lartë vendosi të mos marrë parasysh ekspertizën e parë të videos Meta-Prifti, të kryer nga një ekspert nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke ia ngarkuar këtë tre ekspertëve shqiptarë.

Top Channel ju paraqet përfundimet e dy ekspertizave, asaj amerikane
dhe asaj shqiptare, ku secili nga shikuesit duke parë ndryshimet mund
të nxjerrë edhe vetë konkluzionet.

1. Ora rregjistruese:

Ekspertet shqiptarë pohojnë për orën se nuk mund të provojnë nëse ora objekt ekspertimi është mjeti me të cilin është realizuar biseda dhe se nuk u gjetën gjurmë të bisedës Meta-Prifti. Po ashtu, nga ekzaminimi i orës ekspertët shqiptarë theksojnë se nuk janë në gjendje të përcaktojnë origjinën e saj, si dhe nuk është e mundur sipas tyre të përcaktohet nëse shkarkimi është bërë nga ora.

Eksperti amerikan për këtë cështje thotë se ora ka kapacitet ruajtës të brendshëm 8 giga/bite dhe është përdorur për të rregjistruar versionin video të bisedës Meta-Prifti. Ajo është lidhur me sistemin e kompjuterit portabël. Po ashtu, shprehet eksperti Glen Bart, unë isha në gjendje të zbardh një video tjetër, e cila ishte fshirë nga aparatura.

2. Koha e shkarkimit të rregjistrimit në laptop

Data e fundit e modifikimit, thonë ekspertët shqiptarë, është 1 mars 2010, në orën 1:33. Data e bios në laptop korrespondon me datën aktuale, ora e bios në laptop ndryshonte një orë mbrapa me orën aktuale në Shqipëri. Ekspertët thonë se nuk është e mundur të përcaktohet ekzaktësisht ora dhe data gjeografike e hedhjes dhe shkarkimit në laptop.

U njoha me videon në DVD, thotë Glen Bart, dhe ndërsa pash përmbajtjen e saj pashë që DVD-ja është krijuar duke përdorur softëare “Neero” në datë 12 janar 2011, në orën 2.18 mbasdite. Unë gjeta një dosje Meta-Prifti në logo “Avi”. Videoja përshkruan një bashkëbisedim mes dy burrave. Data në bios dhe koha në kompjuter janë në përputhje me kohën aktuale në Shqipëri.

3. Laptopi

 
Në mungesë të një file orgjinal në orë, thonë ekspertët shqiptarë, u konstatua ndërhyrje në file-n e vendosur në laptop. U arrit në deduksionin që minuten 11.25, 12.35 u konstatuan tik-take ore jo në harmoni me tik-taket e tjerë. Duke parë anomalitë e këtij sinjali konkludojmë ndërhyrje të mundshme.

Mua më është kërkuar të përcaktoj nëse dosjet e videos janë tjetërsuar, thotë Glen Bart. Unë i studiova dosjet e programit dhe nuk gjeta asnjë program softëare të instaluar që të ishte përdorur për tjetërsimin e videos, shkruan amerikani. Duhet të theksohet që tjetërsimi i videos është një proces shumë i vëshitrë dhe programi për ta bërë të mundur këtë është shumë i shtrenjtë.

4. A e permban usb-ja materialin audioviziv Meta-Prifti?

Po, thonë ekspertët shqiptarë, në usb u gjetën tre file.

Në usb ishin tre materiale të ruajtura. Pasi shqyrtova të treja videot e ruajtura në usb, konstatova se ato ishin të njëjta me vidon e DVD-së, por thjesht të ruajtura në formatime të ndryshme.

5. A mund të kuptohet bisdea?

Ekspertët shqiptarë thonë se duke qenë se raporti sinjal-zhurmë është nën 10 decibel, nuk mund të kuptohen fjalët.

Eksperti amerikan thotë se, unë nuk isha në gjendje të pastroja segmentin audio të videos me pajisjet që pata në dispozicion.

6. A është i njëjtë materali në DVD i marrë në emisionin “Fiks Fare”?

Ky metarial i marrë në “Fiks Fare”, thonë ekspertët, nuk është i njëjtë me materialin e marrë në laptopin e Dritan Priftit.

Video që është transmetuar në programin televiziv, thotë eksperti amerikan, dhe që gjendet në usb në fakt është vetëm gjysma e videos. Video e plotë gjendet në sistemin kompjuterik. Unë nuk kam gjetur prova që personat që jepen në video të jenë tjetërsuar, përfundon ndoshta konkluzionin më të rëndësishëm të ekspertizës, Glen Bart.

Pra, nisur nga konkluzionet e dy ekspertizave, eksperti amerikan nuk thotë në asnjë rast se ka patur ndërhyrje. Madje, as në atë audio, sic pretendojnë ekspertët shqiptarë me kohë më të paktë dhe mjete më të varfëra se eksperti amerikan.

Eksperti amerikan pranon se cdo fajlë që fshihet lë gjurmë, ndërsa shqiptarët nuk kanë gjetur asnjë gjurmë. Provë për këtë është fakti se eksperti amerikan mundi të rekuperojë edhe një tjetër video të fshirë, përvec asaj Meta-Prifti.

Ndërsa për materialin, ekspertët shqiptarë thonë se ka probabilitet për ndërhyrje vetëm për shkak të tik-takut, për Glen Bart nuk janë gjetur prova që videoja të jetë tjetërsuar, pra të jetë manipuluar.

Ndërsa Glen Bart pranon se ora rregjistruese është përdorur për videon orgjinale, ekspertët shqiptarë nuk kanë mundur të përcaktojnë nëse videoja është rregjistruar nga kjo pajisje orë rregjistruese. Por sa i besueshëm është eksperti amerikan?

“Në rastin e të ashtuquajturës kaseta Meta-Prifti, qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk dha ndonjë ndihmë zyrtare. Mesa jam informuar, prokuroria u këshillua dhe kontraktoi shërbimet e një firme shumë të njohur amerikane, apo ndoshta edhe më shumë se një. Sërish, meqenëse nuk është një miratim zyrtar i qeverisë, unë e kam pak të vështirë të flas direkt për këtë cështje, por mesa kuptoj kishte një apo disa firma amerikane me shumë reputacion që asistuan në disa prej aspekteve teknike të hetimit”, deklaroi rreth dy javë më parë në një intervistë për TCH ambasadori amerikan Alexander Arvizu.

Top Channel