Gjykata për krimet e luftës në ish-Jugosllavi ka dënuar me 18 muaj burg ultranacionalistin serb Vojisllav Sheshel, për shpërfillje të trupit gjykues.

Sipas mediave ballkanase, gjatë procesit që po zhvillohet ndaj tij, Sheshel ka publikuar emrat e dëshmitarëve të mbrojtur, të cilët ai i ka shkruar në ditarin e tij.

Megjithatë, dënimi në fjalë duket se nuk e ka tronditur shumë Sheshel, i cili ndodhet në Hagë që prej vitit 2003.

Ai akuzohet për angazhimin e grupeve paraushtarake serbe, të cilat kanë kryer krime dhe akte barbare ndaj popullsive joserbe.

Dënimi i së hënës me 18 muaj burg është i dyti që i jepet ish-zyrtarit serb për shpërfillje të trupit gjykues, me qëllim cënimin e besueshmërisë së dëshmitarëve.

“Veprimet e Sheshel mund të dekurajojnë dëshmitarët në dhënien e dëshmive, si dhe të cënojnë besimin e tyre tek gjykata, për t’u garantuar një mbrojtje efikase”, thuhet në vendimin e trupit gjykues.

Top Channel