Banorët e Sarajevës shprehen të tronditur nga incidenti i së premtes, por mes tyre nuk mungojnë edhe notat e mosbesimit.

Një person i armatosur hapi zjarr në drejtim të ndërtesës së ambasadës amerikane në kryeqytetin boshnjak, duke shkaktuar panik e duke detyruar njerëzit të largoheshin me vrap të tmerruar.

Një banor i identifikuar vetëm si Eso, thote se e di kush është fajtor për sulmin.

“Ne jemi në përgjithësi të gjithë në krizë, në një krizë financiare, morale dhe kulturore, ndaj kjo që ndodhi duhet të jetë produkt i një situate të tillë. Njerëzit po manipulohen shumë lehtë dhe besojnë cdo gjë që u thuhet”, shprehet Eso.

Gazetat boshnjake e përshkruan episodin e së premtes si sulm terrorist dhe banorët, përfshirë Mubera Zlatarevic, ende po përpiqen të kuptojnë atë që ndodhi. “Është e tmerrshme ajo që ndodhi këtu. Nuk arrij ta besoj”, thotë një banore.

Mediat serbe raportojnë se masat e sigurisë janë përforcuar rreth ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Beograd, ndërkohë që policia ka kryer një operacion masiv kundër pjesëtarëve të një grupi ekstremist që e paraqesin veten si myslimanë.

Jasharevic, i dënuar për grabitje në Austri në 2005-ën dhe i deportuar më pas në Serbi, kishte hyrë në territorin boshnjak mëngjesin e së premtes, ndërsa më herët gjatë këtij viti, ai mësohet të ketë vizituar disa islamikë të linjës së ashpër në veri të vendit.

Top Channel