Një person i armatosur hapi zjarr të premten ndaj Ambasadës Amerikane në
kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës, duke plagosur një roje.Autoritetet
boshnjake e kanë identifikuar të dyshuarin si një ultra-konservativ
mysliman nga Serbia fqinje.

Polici i plagosur gjatë sulmit ishte roje e ambasadës. Autoritetet spitalore kanë bërë të ditur se ai është plagosur në të dyja këmbët, porse jeta e tij nuk është në rrezik.

Një dëshmitar tha se të shtënat ndaj ambasadës kanë zgjatur rreth 10 minuta, derisa policia ka arritur në vendin  ku po zhvillohej ngjarja.

Pamjet e postuara në internet tregonin një person të armatosur, me mjekër. Personi në fjalë është identifikuar nga prokurori i shtetit, bën të ditur radio Europa e Lirë, si Mevlid Jasharevic, 23 vjeç. Ai mësohet të jetë nga qyteti i Novi Pazarit, që ndodhet në jugperëndim të Serbisë.

​​Prokurori Dubravko Kampara tha se Jasharevic ka hyrë në Bosnjë të premten dhe se në momentin kur është kapur nga policia, mbante edhe dy granata dore.I njëjti burim bëri të ditur se i dyshuari ishte nën hetime nga autoritetet serbe, por nuk dha detaje të tjera shtesë.

Bakir Izetbegoviq, anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnjës, e ka dënuar ashpër ngjarjen, të cilën e ka quajtur “sulm terrorist ndaj Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Bosnjë”.

Ai ka bërë thirrje për hetime të shpejta të incidentit, ndërsa SHBA-në e ka quajtur “mik të dëshmuar” të vendit të tij.“Përveçse është sulm kundër Ambasadës Amerikane, ai është sulm edhe kundër Bosnjë e Hercegovinës”, tha anëtari kroat i presidencës, Zhelko Komshic.

Në Uashington, zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Viktoria Nuland, tha se “disa plumba kanë goditur murin e jashtëm të ndërtesës së ambasadës”, por ajo nuk e përshkroi ngjarjen si sulm terrorist.

Ndërkaq, ambasadori amerikan në Sarajevë, Patrik Mun, u zotua se Shtetet e Bashkuara nuk do të pengohen në punën e tyre në këtë vend.

“Ky sulm është diçka që nuk do t’i pengojë Shtetet e Bashkuara në atë që po bëjmë këtu. Shtetet e Bashkuara janë miq të popullit të Bosnjës dhe ne do të qëndrojmë këtu për kohë të gjatë”, tha Mun.

Eksperti për çështje të terrorizmit në Universitetin e Sarajevës, Vllado Azinoviq, tha se incidenti mund të shkojë në favor të atyre që duan të ndajnë shtetin e brishtë.

“Për kohë të gjatë, në Bosnjë e Hercegovinë, ka pasur forca politike që tregonin me gisht kah ky lloj i ngjarjeve. Ata tani e marrin atë si justifikim për veprimet e tyre, në favor të ndarjes së Bosnjë e Hercegovinës në dy shtete. Ata thonë se nuk mund të kenë jetë të përbashkët me njerëzit që sulmuan ambasadën e Shteteve të Bashkuara”, u shpreh Azinoviq.

Ambasada Amerikane në Sarajevë ishte mbyllur për pak kohë në mars të vitit 2002 për shkak të kërcënimeve, por ajo nuk ishte sulmuar ndonjëherë më parë

Top Channel