Kanalizimet antipërmbytje, nuk u realizuan investimet

29/10/2011 00:00

Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes Konsumatore ka arritur të
shpenzojë vetëm 1.4 miliardë lekë (rreth 10 milionë euro) për investime
në infrastrukturën e kullimit deri në fund të shtatorit të këtij viti,
shifër kjo e barabartë me 37.6 për qind të planit fillestar dhe 53 për
qind e planit të rishikuar buxhetor.

Lajmi bëhet i ditur nga raporti për ekzekutimin e buxhetit publikuar nga vetë MBUK. Tabelat për ekzekutimin e buxhetit tregojnë se infrastruktura e kullimit duhej të shpenzonte gjithsej 3.76 miliardë lekë sipas buxhetit 2011, kryesisht për shkak të dëshirës së qeverisë për të shmangur një eksperiencë të ngjashme me përmbytjet masive që vendi përfitoi dimrin e kaluar. Por në qershor, qeveria e uli më tej buxhetin e kullimit në 2.67 miliardë lekë dhe nga këto, Ministria e Bujqësisë mësohet të ketë shpenzuar deri në fund të shtatorit vetëm 1.4 miliardë lekë.

Rajonet fushore të vendit u përmbytën disa herë gjatë viteve 2009-2011 dhe mbi qeverinë rënduan akuza për neglizhencë në mirëmbajtjen e infrastrukturës së kullimit, e cila, nëse funksionon siç duhet, minimizon rrezikun e përmbytjeve. Për çdo vit, qeveria ka premtuar më shumë fonde, por po çdo vit, Ministria e Bujqësisë nuk e ka parë të arsyeshme të shpenzojë të gjithë fondet e përcaktuara.

Kështu, sipas raporteve të vetë MBUK, deri në qershor të këtij viti, investimet antipërmbytje qenë realizuar vetëm në masën 2 për qind, ndërsa qe realizuar fondi i pagave në këtë produkt. Ndërkohë, pavarësisht vonesave, mësohet se kontratat për kryerjen e punimeve janë firmosur tashmë dhe MBUK thotë se ka përfunduar remontin e 28 hidrovoreve si dhe ka pastruar pjesën më të madhe të infrastrukturës së kullimit në Shkodër, Lezhë, Lushnjë, Fier e Korçë. Një raport i Ministrisë shton se shpresat janë që punimet të përfundojnë brenda muajit tetor, sepse përndryshe mund të jetë shumë vonë.

Gjithsesi, ekspertët e fushës mendojnë se shanset për përmbytje këtë vit janë të vogla, kryesisht për shkak se liqenet e hidrocentraleve janë të boshatisura dhe kanë mundësi të absorbojnë prurje të konsiderueshme uji.

Top Channel