Kryeministri kosovar Hashim Thaci ka premtuar plotësimin e kritereve të kërkuara nga BE për të arritur liberalizimin e vizave.

Në një takim me raportuesen për Kosovën në PE, Ulrike Lunacek, Thaci ka shprehur bindjen e tij se liberalizimi i vizave do të ndodhë së shpejti.

Nga ana e saj, eurodeputetja Lunacek është shprehur gjithashtu optimiste se qytetarët kosovarë në një periudhë të afërt do të mund të lëvizin të lirë në vendet e BE-së.

Lunacek ka njoftuar kryeministrin Thaci se, më 22 nëntor në Parlamentin Evropian do të diskutohet raporti mbi zhvillimet në Kosovë.

Në takimin e zhvilluar është biseduar edhe për proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova, si në kontestin e brendshëm, ashtu edhe në atë të integrimeve.

Ndërsa në një takim të zhvilluar më parë me ministrin e Brendshëm Bajram Rexhepi, Lunacek ka kërkuar më shumë angazhim dhe bashkëpunim institucional.

Më 12 tetor, me publikimin e raport-progresit, Komisioni Evropian shprehu gatishmërinë për nisjen e dialogut për heqjen e vizave me Kosovën brenda vitit.

Pak ditë më vonë, komisionerja evropiane për Cështjet e Brendshme, Cecilia Malmstrom konfirmoi se BE nuk do ta lërë Kosovën që të izolohet.

Ndërsa raportuesja e Parlamentit Evropian për cështjet e vizave, Tanja Fajon deklaroi se Kosova duhet të presë së paku edhe dy vite për të arritur liberalizimin e vizave.

Top Channel