TEC i Vlorës nis punën, shqetësime për koston

28/10/2011 08:35

Termocentrali i Vlorës, një impiant që kushtoi afro 100 milionë euro dhe që teorikisht duhej të kishte filluar punë në vitin 2009, filloi të vihet në shfrytëzim në gusht të këtij viti. Lajmi u dha për “Shqip” nga Salvador Rivera, drejtues i projektit të Bankës Botërore për ndërtimin e TEC-it.

“Pas tre muajsh operacionesh testimi, të gjitha parametrat e kërkuara u verifikuan dhe testet e rendimentit u kryen me sukses. Termocentrali i Vlorës prodhoi 13.6 milionë kËh në gusht, 24.5 milionë kwh në shtator dhe 12.4 milionë kwh në tetor, (gjenerimi total për vitin 2011 pritet të jetë 50.5 milionë kwh nga 27 milionë të prodhuara në vitin 2010”, tha Rivera.

Kompania që e operon termocentralin, e cila është në varësi të KESH, “aktualisht po e përgatit TEC-in për të operuar me kapacitet të plotë dhe një tender për blerjen e naftës do të njoftohet së shpejti”, vijoi më tej Rivera.

“Veprimtaria komerciale e impiantit varet tërësisht nga njohja e kostove nga ana e Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për tri vitet e ardhshme. Ky proces do të nisë në fillim të dhjetorit, kur ERE do të miratojë strukturën e tarifave të energjisë për tre vitet e ardhshme.

Banka po nxit qeverinë dhe ERE-n të marrin parasysh operimin optimal të termocentralit të Vlorës për tre vitet e ardhshme, kohë kjo që përfshihet në periudhën e garancisë së projektit dhe që do të krijojë përvojë të mirë në menaxhimin dhe mirëmbajtjen e impiantit”, tha më tej Rivera.

Termocentrali i Vlorës u propozua fillimisht të ndërtohej në vitin 2002 si një zgjidhje për krizën energjetike që goditi vendin në atë kohë. Projekti fillestar kërkonte ndërtimin e një termocentrali me madhësi 400-600 MË, kapacitet ky i mjaftueshëm për të plotësuar nevojat e vendit me energji për disa vite.

Por, vonesa të shumta u shkaktuan fillimisht nga paaftësia e qeverisë aktuale kohës për të menaxhuar procesin e ndërtimit e më pas nga debati politik nëse një impiant i tillë do të kishte efekt për turizmin në Vlorë apo jo.

Në vitin 2006, qeveria e re vendosi të pranojë vetëm ndërtimin e bllokut të parë të termocentralit me madhësi 93 MË. Punimet nisën në vitin 2007 dhe supozohej se do të përfundonin në vitin 2009, por në fakt punimet përfunduan në 2010-n dhe vetëm tani impianti ka filluar punën.
Termocentrali i Vlorës mund të prodhojë deri në 700 milionë kËh në vit dhe ky kapacitet mund t’i japë Shqipërisë fuqi në tregun rajonal si për sa i përket aftësisë për të eksportuar, ashtu edhe mundësisë për të negociuar çmime më të mira për importet.

Prodhimi i pritshëm i këtij viti prej 50 milionë kËh është i barabartë për vetëm dy ditë konsumi të energjisë elektrike në vendin tonë. Por kapaciteti total mbulon rreth 15 për qind të konsumit dhe 30-40 për qind të defiçitit të vendit.

Shqetësime për koston

Ndërkohë, kostoja e prodhimit të energjisë elektrike në këtë termocentral vlerësohet aktualisht në rreth 13 lekë për kwh, çmim ky dy herë më i lartë se ai i importit. Por, ekspertët thonë se struktura e rrjetit shqiptar të energjisë elektrike bën që kostoja e TEC-it më vete të mos jetë gjithçka.

“Ky është një termocentral me cikël të kombinuar dhe ka një ndezje shumë të shpejtë, përgjigje të shpejtë në raste shkëputjeje dhe mund të shërbejë për të ndihmuar pjesë të tjera të sistemit elektrik”, – thotë Rivera.

“TEC-i është shumë i rëndësishëm dhe do të ndihmojë gjenerimin gjatë muajve të verës, duke lejuar proceset e duhura të mirëmbajtjes në impiantet e tjera. Ai do të kontribuojë në mënyrë domethënëse në situatën e përgjithshme të furnizimit të vendit me energji dhe do të optimizojë përdorimin e kapaciteteve hidro në Shqipëri e rajon”, – thotë Rivera.

Shqipëria shpenzon mesatarisht 1.3-1.4 metër kub ujë në kaskadën e Drinit për prodhimin e një kilovati energji. Funksionimi i duhur i Vlorës do të mundësojë që në të ardhmen të përdoret më pak se 1 metër kub ujë për kËh, gjë që do të thotë se prodhimi i energjisë në kaskadën e Drinit, në rast se sistemi menaxhohet siç duhet, mund të rritet me 20-40 për qind për të njëjtën sasi uji të disponueshme.

Ndërkohë, termocentrali i Vlorës do të mundësojë që hidrocentralet të përdoren më shumë gjatë periudhave të konsumit pik, kur çmimet e energjisë në rajon janë shpesh dy herë më të larta. Por, KESH nuk ka ende kapacitetet e duhura për tregtimin e energjisë në kohë reale, gjë që i heq mundësitë e përfitimit financiar tani për tani.

Termocentrali i Vlorës do të mund të stabilizojë tensionin në jug të vendit, ku kërkesa veçanërisht gjatë muajve të verës është e lartë për shkak të sezonit turistik, si dhe do të sjellë reduktim të humbjeve teknike në rrjet, të cilat ndodhin gjatë transmetimit të energjisë nga Veriu i vendit, ku gjendet i gjithë gjenerimi, për në qendër dhe Jug të vendit ku është pjesa më e madhe e konsumit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA