Shqipëri-Brazil, hiqen vizat

28/10/2011 20:15

Shtetasit shqiptarë do të mund të udhëtojnë pa viza drejt Brazilit. Kjo është mundësuar pas firmosjes së një marrveshjeje dypalëshe nga ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto dhe homolugut brazilian Antonio de Aguiar Patriota.

Sic njofton zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme, Haxhinashto dhe Patriota nënshkruan katër marrëveshje dhe memorandume:

Marrëveshjen për heqjen e vizave midis dy vendeve, marrëveshjen e bashkëpunimit midis dy Ministrive të Jashtme, memorandum mirëkuptimi midis dy Akademive Diplomatike për bashkëpunim reciprok dhe trajnim të diplomatëve, si dhe memorandumin për bashkëpunimin ekonomik.

Ministri Haxhinasto gjatë takimit ka deklaruar se kjo vizitë, e cila kryhet në 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, përbën një moment historik për një dinamikë të re në marrëdhëniet midis dy vendeve.

Ministri Antonio de Aguiar Patriota tha se, dy vendet tona duhet të kapin kohën e humbur në marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimi ekonomik është nje drejtim mjaft i rëndësishëm që duhet të zhvillohet me shpejtësi.

Ministri i Punëve të Jashtme, zoti Haxhinasto vazhdon vizitën në Brazil në kuadër të forumit të biznesit shqiptaro-brazilian, i cili do të mbahet në Sao Paolo.

Top Channel