Serbia duhet të zgjidhë cështjet në raport me Kosovën në mënyrë që të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.

Kështu ka deklaruar drejtori për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Marko Prelec.

“Brenda BE-së nuk mund të importohen konflikte. Prandaj, Beogradi duhet t’i kthehet dialogut dhe të ecë drejt zgjidhjeve të përhershme”, ka deklaruar Prelec.

Deklarata e së premtes e zyrtarit të GNK-së vjen rreth një javë pas asaj ku ai paralajmëronte faktorin ndërkombëtar se situata në veri të Kosovës mund të përshkallëzohej në cdo moment.

Për këtë arsye, ai i kërkoi nga njëra anë Brukselit që të mos mbështeste opsionin e dhunës për zgjidhjen e problemeve dhe nga ana tjetër Beogradit që të dilte me plane konkrete.

“Ka nisur lufta e nervave dhe gara e durimit. KFOR-i mund t’i heqë barrikadat, por banorët serbë mund të ngrenë të tjera. Është e rëndësishme që kjo luftë të mbetet e qetë dhe të mos arrihet në një përshkallëzim tragjik, që mund të shkaktohet fare lehtë”, deklaroi Prelec.

Ai u shpreh se, do të ishte mirë që situata në veri të Kosovës të zgjidhej me marrëveshje, jo vetëm për barrikadat, por për të gjitha cështjet që shqetësojnë këtë zonë.

Prelec nënvizoi se përgjegjësia për mos përkeqësimin e situatës ishte e të dyja palëve dhe theksoi se rreziku për përhapjen e tensionit edhe në jug ishte real.

“Kur rriten tensionet mes serbëve dhe bashkësisë ndërkombëtare, rriten edhe tensionet në jug. Ka shumë pika që mund të shkaktojnë gjakderdhje”, tha Prelec më 21 tetor.

Top Channel