Turqi, të mbijetuarit plaçkisin kamionët e ndihmave

27/10/2011 04:01

Gjysmë Hëna e Kuqe turke, raportoi në orët e para të mëngjesit të së enjtes se 17 kamionë që transportojnë ndihma për viktimat e tërmetit janë plaçkitur.

Zyrtarët lokalë në qytetin Van thanë se të mbijetuarit, të zemëruar që nuk marrin furnizime, kishin bastisur karvanin për ushqim dhe batanije.

Në qytetin më të goditur nga lëkundjet, Ercis, hajdutët ndaluan një kamion që mbante tenda.

Nërkohë dy persona të tjerë u nxorrën të gjallë nga rrënojat ditën e mërkurë, por shpresat janë duke u venitur për të tjerë të mbijetuar.

Më shumë se 480 të vdekur, është bilanci i deritanishëm, pas tërmetit të së dielës që përfshiu Turqinë, por Gjysmë Hëna e Kuqe beson se qindra të tjerë janë bllokuar ende nën rrënoja.

Punëtorët e shpëtimit janë duke u përpjekur për të marrë ushqim dhe batanije për të mbijetuarit, pasi temperaturat janë duke rënë në rajonin malor.

Mijëra njerëz, të cilët kanë mbetur të pastrehë,  kanë kaluar natën e katërt në kushtet e motit të acartë dhe dëborës.

Turqia më herët pranoi ofertat për ndihmë nga vendet e huaja, për të përballuar pasojat e tërmetit, pasi fillimisht i kishte refuzuar ato.

Turqi, bilanci tragjik kalon 500 persona

Bilanci tragjik i tërmetit që goditi javën e shkuar një zonë lindore në Turqi është rënduar në 523 viktima, lajmëruan burime zyrtare ditën e enjte.

Ndërkohë, 1 650 persona janë plagosur, disa prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike për jetën në spitalet e tejmbushura të Vanit, krahinës që u godit nga tërmeti i magnitudës 7,2 të shkallës rihter.

Kërkimet vazhdojnë për të mbijetuar, por pesë ditë pas tërmetit, përjashtohet pothuajse kategorikisht mundësia që të ketë ende njerëz të gjallë në xhepat e formuara në rënoja. Në total, 185 persona kanë dalë të gjallë nga gërmadhat, pothuajse të gjithë në dy ditët e para.

Shiu dhe dëbora i kanë vështirësuar operacionet e kërkimit, së bashku me kushtet e vështira ku duhet të jetojnë dhjetëra mijëra të mbetur të pastrehë.

Qindra tenda dhe shtëpi të parafabrikuara janë duke mbërritur në zonë nga rezervat e ushtrisë dhe ndihmat ndërkombëtare, të cilat Turqia fillimisht i refuzoi, për t’i pranuar më pas të mërkurën.

Megjithatë, reporterët e mediave ndërkombëtare flasin për mungesa të rëndësishme në kapacitetet e strehimit. Me qindra persona që janë shpallur të humbur, ekziston frika se bilanci i katastrofës mund të kalojë një mijë personat.

Top Channel