Turqi, bilanci tragjik kalon 500 persona

27/10/2011 15:20

Bilanci tragjik i tërmetit që goditi javën e shkuar një zonë lindore në Turqi është rënduar në 523 viktima, lajmëruan burime zyrtare ditën e enjte.

Ndërkohë, 1 650 persona janë plagosur, disa prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike për jetën në spitalet e tejmbushura të Vanit, krahinës që u godit nga tërmeti i magnitudës 7,2 të shkallës rihter.

Kërkimet vazhdojnë për të mbijetuar, por pesë ditë pas tërmetit, përjashtohet pothuajse kategorikisht mundësia që të ketë ende njerëz të gjallë në xhepat e formuara në rënoja. Në total, 185 persona kanë dalë të gjallë nga gërmadhat, pothuajse të gjithë në dy ditët e para.

Shiu dhe dëbora i kanë vështirësuar operacionet e kërkimit, së bashku me kushtet e vështira ku duhet të jetojnë dhjetëra mijëra të mbetur të pastrehë.

Qindra tenda dhe shtëpi të parafabrikuara janë duke mbërritur në zonë nga rezervat e ushtrisë dhe ndihmat ndërkombëtare, të cilat Turqia fillimisht i refuzoi, për t’i pranuar më pas të mërkurën.

Megjithatë, reporterët e mediave ndërkombëtare flasin për mungesa të rëndësishme në kapacitetet e strehimit. Me qindra persona që janë shpallur të humbur, ekziston frika se bilanci i katastrofës mund të kalojë një mijë personat.

Top Channel