Banorët serbë në veri të Kosovës kanë nisur mëngjesin e së enjtes të
largojnë me vullnetin e tyre barrikadat e vendosura në rrugët që të
cojnë në pikat kufitare 1 dhe 31.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë rajonale të Mitrovicës, Besim Hoti, për Radion Europa e Lirë.

“Barrikadat po largohen nga vetë banorët. Do të shohim më vonë gjatë ditës se si do të zhvillohen ngjarjet dhe nëse do të ketë nevojë për ndërhyrjen e KFOR për heqjen e barrikadave të tjera”, ka deklaruar Hoti.

Mbrëmjen e së mërkurës përfaqësuesit e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës deklaruan se do të hiqnin barrikadat në rrugët kryesore për t’i mundësuar lëvizjen vetëm trupave të KFOR-it.

Ata thanë gjithashtu se kishin vendosur të respektonin thirrjen e presidentit serb Boris Tadic, i cili u kishte kërkuar shmangien e dhunës.

Gjatë ditëve të fundit, misioni i NATO-s ka përsëritur qëndrimin se një zgjidhje e njëanshme për lirimin e rrugëve me kufizime nuk do të pranohej.

Para pak ditësh, serbët e veriut të Mitrovicës nuk kishin rënë dakord me presidentin Tadic, i cili u kishte kërkuar të hapnin rrugën dhe të shmangnin dhunën.

Kjo gjë kishte bërë që barrikadat të mbeteshin në rrugë, pavarësisht operacioneve të KFOR-it të nisura javën e kaluar për zhvendosjen e tyre.

Top Channel