Gjatë së enjtes serbët kanë liruar pjesërisht rrugët e veriut. Në autostraden Mitrovicë – Zubin Potok që çon në portën kufitare 31 në Bërnjak, ku pranë barrikadave vetëm një ane e rruges se kalimit është i lirë për qarkullim, por jo për të gjithë. Vetëm KFOR-i mund ta shfrytëzojë këtë për të bërë furnizime për ushtarët e vet, ndërsa përjashtim bëjnë edhe veturat e serbëve.

Ndërsa, doganierët dhe policët kufitarë të Kosovës, janë dërguar sërish me helikopterë të EULEX-it në vendin e tyre të punës, në portat kufitare veriore.  Megjithë hapjen e pjesshme të rrugës për në Bërnjak, barrikadat vazhdojnë të qëndrojnë, ndërsa pranë tyre edhe serbët.

“Nuk e kemi mbaruar punën. Barrikadat mbeten, ndërsa qytetarët do të vazhdojnë kujdestaritë në numër të njëjtë për të vëzhguar situatën. Nëse KFOR-i në ndonjë mënyrë keqpërdor këtë mundësi, qytetarët me trupat e tyre do të pengojnë qarkullimin e tyre”, është shprehur gjatë së enjtes kryetari ilegal i Zubin Potokut, Sllavisha Ristic.

Ndërsa, në autostraden tjetër, atë që dërgon në portën kufitare 1 në Jarinjë të Leposavicit, rruga nuk është hapur  ende dhe kjo konfirmohet nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Mitrovicën, Besim Hoti.

“Sa i përket rrugës Mitrovicë – Leposavic, përkatësisht pikës kufitare 31 Jarinjë, rruga vazhdon të jetë e bllokuar, marrë parasysh faktin që është e vendosur barrikada e betonuar në fshatin Rudarë i Vogël, ndërsa në brendi të komunës Zveçan dhe Leposavic, rrugët janë pjesërisht të kalueshme, vetem ne njeren ane. Por derisa nuk largohet barrikada e betonuar në Rudarë të Vogël atëherë nuk mund të flasim për një qarkullim të lirë”, thotë zëdhënësi Hoti.

Lirimi i pjesshëm i rrugëve, për qarkullim të KFOR-it në atë pjesë, është bërë pas një takimi që është zhvilluar gjatë së mërkurës ndërmjet kryetarëve ilegalë të komunave në veri, dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë.

Ditë më parë, zyrtarë të KFOR-it patën deklaruar se “liria e lëvizjes duhet të arrihet pa asnjë kusht, për çdo kënd, dhe në çdo kohë”, dhe se sipas tyre “asgjë ndryshe nga kjo nuk është e pranueshme”.   Sidoqoftë, tashmë mbetet të shihet nëse KFOR-i do të ndërhyjë që rrugët të jenë plotësisht të kalueshme dhe për të gjithë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA