Liria e mediave, OSBE: Maqedonia të ketë kujdes

27/10/2011 19:45

OSBE ka tërhequr vërejtjen për krijimin e kushteve për respektimin e lirisë së mediave në Maqedoni.

Ky mesazh u dha nga përfaqësuesja e lartë e OSBE-së për media, Dunja Mijatoviç, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoni, ku ka zhvilluar takime me krerët e lartë qeveritarë dhe përfaqësues të mediave, shoqatave të gazetarëve dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Ajo rekomandoj kujdes edhe nga ana e pronarëve të mediave, të cilët duhet të respektojnë lirinë e medias dhe statusin e gazetarëve.

“Është koha që pronarët e mediave dhe gazetarët të kenë të qartë se i shërbejnë opinionit dhe jo politikanëve apo interesave të biznesit. Ka ardhur koha që t’i kthehet dinjteti gazetarëve, të cilët nuk duhet të ndahen në bazë të interesave politike, pasi polarizimi është shkatërrimtar për shoqërinë”, deklaroi Mijatoviç.

Ajo apeloi në emër të OSBE-së që politikanët të shprehin më shumë tolerancë ndaj cështjes së gazetarëve.

Zyrtarja e lartë e OSBE-së po qëndron për vizitë tre ditore në Maqedoni, për t’u njohur me gjendjen e mediave. Në raportin e KE-së është kritikuar gjendja lidhur me lirinë e mediave. Ndërkohë, në gjendje të vështirë vazhdojnë të jenë mediat shqiptare në Maqedoni.

Top Channel