Libi, NATO ndërpret operacionet në 31 tetor

27/10/2011 00:00

Këshilli i Sigurimit në OKB votoi që të gjitha operacionet ushtarake të NATO-s në Libi të përfundojnë në fundin e këtij muaji.

Qeveria e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit i kërkoi aleancës ushtarake që të shtynte misionin deri në fundit të vitit, për të ndihmuar autoritetet e reja libiane në stabilizimin e situatës në vend dhe në kontrollimin e tregëtisë eventuale që mund të bëhet me armët në vendet fqinje.

Megjithatë, ndonëse se edhe Sekretari Amerikan i Mbrojtjes kishte folur mbi mundësinë e një shtyrjeje, Këshilli i Sigurimit vendosi gjatë pasdites së të enjtes që të gjitha operacionet të pushojnë në orën 23:59 të 31 tetorit, sipas orës libiane.

Zgjatja e misionit nuk u bë e mundur pasi në rezolutën e aprovuar, që çoi në hyrjen e koalicionit si palë në konflikt në muajin mars, flitej vetëm për “marrjen e masave të nevojshme për mbrojtjen e civilëve, nga regjimi i Muammar Gaddafit”. Pas rënies së kolonelit, një mbrojtje e tillë është bërë e panevojshme.

Është e paqartë se cila do të jetë ndihma që do t’i jepet qeverisë së re libiane, e cila shpalli çlirimin e vendit gjatë së dielës së shkuar.

Top Channel