Kongresmeni amerikan Eliot Engel deklaroi se KFOR duhet të bëjë veprim konkret dhe jo të jap ultimatume të panevojshme.

“Veriu i Kosovës apo veriu i Mitrovicës është pjesë e Kosovës, dhe është absolutisht qesharake që autoritetet nga Beogradi të kalojnë përmes kufirit, të hyjnë dhe të dalin si të duan. KFOR-i duhet të ndërpresë së dhëni ultimatume të cilave nuk u përmbahet dhe të jap një ultimatum që do ta respektojë. Nuk mund të ketë bllokim serb të hyrjeve dhe daljeve nga Kosova. Mendoj se KFOR- i duhet të bëjë punë konkrete e jo të jap ultimatume të panevojshme”, deklaroi Engel.

Sipas tij kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi kishte të drejtë kur vendosi shtrirjen e autoritetit në tërë territorin e Kosovës. Kongresisti Engel theksoi se duhet të bëhet e qartë se autoritetet në Kosovë janë Qeveria e Prishtinës dhe jo ajo e Beogradit.

“KFOR duhet të bëjë atë që thotë, dhe ne duhet të jemi shumë të qartë se autoritetet në Kosovë janë Qeveria e Prishtinës, e jo Qeveria në Beograd. Autoritetet në Mitrovicë, në të gjithë Mitrovicën janë qeveria e Prishtinës, jo ajo e Beogradit. KFOR-i e di këtë dhe duhet të veproj sipas kësaj”, theksoi kongresmeni amerikan Eliot Engel.

Ai përsëriti faktin se Plani i Ahtisarit që solli pavarësinë e Kosovës është i vetmi model që duhet të zbatohet në Kosovë.

Top Channel