I biri i Gaddafi-t gati të dorëzohet

27/10/2011 00:00

“Në proces, por i gjallë”. Është kjo rrugdalja ekstreme që Saif al
Islam, i biri i dytë i Gaddafi-t, ka zgjedhur për të mbijetuar pas
vdekjes së të atit.

Burime nga Këshilli Kombëtar i Tranzicionit bëjnë të ditur se Saif është gati të dorëzohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Pas tij, sipas burimeve, mund të shkojë edhe ish-shefi i shërbimeve sekrete të Libisë, Abdullah al Senussi.

Të dy ata janë në arrati, me Saif, që sipas të dhënave të fundit të fiseve tuareg, ndodhet në Niger.

Ata kërkohen për krime kundër njerëzimit nga Haga, por procesi mund të kthehet edhe në një tribunë për të akuzuar NATO-n për krime lufte.

Lajmi për dorëzimin eventual të të birit të kolonelit është bërë i ditur nga një zyrtar i lartë i KKT-së, Abdel Majid Mlegta.

“Ata kanë përshtypjen se nuk janë të sigurtë as aty ku ndodhen aktualisht dhe as aty ku mund të shkojnë më vonë”, ka deklaruar Mlegta.

Duke iu referuar burimeve pranë shërbimeve sekrete, ushtaraku i lartë ka shtuar se Nigeri u ka kërkuar dy të arratisurve shifra shumë të larta për t’u ofruar strehim.

Për këtë arsye, ata po përpiqen të arrijnë një marrëveshje dorëzimi në Hagë, përmes një vendi të afërt, por që për momentin nuk dihet se cili është.

Nga ana e saj, gjykata e Hagës ka saktësuar se për momentin nuk ka konfirmime mbi synimet e Saif dhe Senussi dhe se është në kontakt me KKT-në për të pasur më shumë detaje.

Fati i të birit të dytë të kolonelit është përfshirë nga hije misteri, që kur Saif u arratis nga Sirte në të njëjtën kohë kur i ati u kap nga rebelët.


Në ndjekje të tij
janë vënë edhe forcat speciale britanike SAS, të cilat kanë zbuluar se i biri i kolonelit ka ndërruar disa herë makinat në përpjekje për të shmangur kapjen.

Top Channel