Engel: KFOR-i, jo ultimatume të kota

27/10/2011 00:00

Kongresmeni amerikan, Eliot Engel ka deklaruar se KFOR-i duhet të
ndërmarrë veprime konkrete dhe jo të japë ultimatume të panevojshme.

“Veriu i Mitrovicës është pjesë e Kosovës dhe është absolutisht qesharake që autoritetet nga Beogradi të kalojnë përmes kufirit, të hyjnë dhe të kthehen prapa. KFOR-i duhet të ndërpresë së dhëni ultimatume të cilave nuk u përmbahet dhe të japë një ultimatum të cilit do t’i përmbahet”, ka deklaruar Engel.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve “INA”, kongresmeni ka nënvizuar se nuk mund të ketë bllokim serb të hyrjeve dhe daljeve të Kosovës.

“Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci ka pasur të drejtë kur ka vendosur shtrirjen e autoritetit në tërë territorin e Kosovës”, ka pohuar Engel.

Sipas tij, duhet të bëhet e qartë se autoritet në Kosovë është qeveria e Prishtinës dhe jo ajo e Beogradit.

“KFOR duhet të bëjë atë që thotë dhe ne duhet të jemi shumë të qartë se autoritet në Kosovë është qeveria e Prishtinës dhe jo qeveria e Beogradit. Autoritet në Mitrovicë, në të gjithë Mitrovicën, është qeveria e Prishtinës, jo e Beogradit. KFOR-i e di këtë dhe duhet të veprojë sipas kësaj strategjie”, ka theksuar Engel.

Ai ka përsëritur faktin se plani i Ahtisarit që coi në pavarësinë e Kosovës është i vetmi model që duhet të zbatohet në shtetin e ri.

Top Channel