Stefanovic, akuza opozitës serbe

26/10/2011 15:40

Shefi i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, Borko Stefanovic ka akuzuar opozitën serbe se me qëndrimet e saj mund të rëndojë pozitën e Beogradit dhe serbëve në veri të Kosovës.

Stefanovic ka deklaruar se kërkesat jorealiste të eksponentëve të opozitës serbe mund të thellojnë krizën ndërmjet KFOR-it dhe protestuesve serbë lidhur me cështjen e barrikadave.

“Rezultati më i keq për Serbinë dhe serbët e Kosovës është nëse përfaqësuesit e katër komunave serbe në veri nuk u binden vendimeve politike të Beogradit”, ka deklaruar Stefanovic.

Ai ka nënvizuar se përcarjet e mëtejshme në radhët e politikës serbe do të shkojnë në favor të Prishtinës dhe se Beogradi do të rrezikojë bisedimet me Kosovën, të cilat janë jetike për sigurimin e statusit të vendit kandidat.

Krerët serbë nuk ranë dakord me Tadic

Serbët e veriut të Kosovës nuk u pajtuan me presidentin Tadic, me të cilin patën një takim për pesë orë me radhë disa ditë më parë.

Ata thanë se është e vështirë të pranohet që EULEX-i të qarkullojë lirshëm nëpër këtë zonë pasi nuk ka garanci se nuk do të transportojnë punonjësit e doganave dhe Policisë së Kosovës.

Por, po ashtu, sipas tyre, EULEX-i është duke zbatuar planin e Ahtisarit që nënkupton pavarësinë e Kosovës.

Katër kryetarët e komunave të veriut thanë se nuk është arritur një progres substancial në bisedimet me presidentin serb.

Sllavisha Ristic, kryetar i Zubin Potokut, tha se Tadic kërkoi lëvizjen e lirë për EULEX-in, por për këtë duhet pyetur populli.

Tadic: Kosova, cështje serioze

Presidenti i Serbisë, Boris Tadic deklaroi të hënën se Kosova është një cështje e madhe për mbarë botën dhe se zgjidhja e saj është shumë e vështirë.

“Kosova është një problem jashtëzakonisht i madh, jo vetëm për serbët dhe shqiptarët, por për Evropën dhe gjithë botën. Zgjidhja e këtij problemi, vështirë të arrihet”, tha Tadic.

Duke folur para një grupi gazetarësh, Tadic theksoi se nuk mund të garantojë zgjidhjen e problemit të veriut brenda dhjetorit, kur pritet të jepet edhe rekomandimi i BE për dhënien e statusit të kandidatit.

Top Channel