Si KFOR ka anashkaluar qeverinë

26/10/2011 02:30

Nuk i anashkalojnë deklaratat se veriu është pjesë e Kosovës, por kur është fjala për të qenë pjesë e zhvillimeve në këtë rajon, autoritetet qendrore të Republikës së Kosovës janë pothuajse krejtësisht jashtë loje.

Këtë e ka treguar më së miri situata e ditëve të fundit kur KFOR-i diskuton me strukturat paralele serbe për zhbllokimin e rrugëve, ndërsa këto të fundit me presidentin e Serbisë Boris Tadic.

I pyetur për këtë cështje, kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi por edhe anëtarë të opozitës, deklarojnë se Kuvendi e ka kryer punën e vet dhe se gjithcka është në duar të qeverisë dhe autoriteteve ndërkombëtare.

“Ndoshta pyetja është pak në adresë të gabuar, pasi mendoj që ne si legjislacion i kemi kryer detyrat tona. Çështja është në dorë të ekzekutivit kryesisht. Përgjegjësia është e qeverisë, KFORI- t dhe EULEX-it, për të vendosur ligjin dhe rendin në atë pjesë të Kosovës”, tha në një deklaratë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

“Është një çështje që po e përjellim të gjithë dhe mendojmë se KFOR-i do ta bëjë detyrën e vet. Ne si opozitë për aq sa kemi fuqi do ta bëjmë detyrën tonë dhe kjo është fuqia jonë tani për tani”, tha kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri.

Sidoqoftë, Kuvendi nuk do t’i anashkalojë diskutimet për këtë cështje. Me kërkesë të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, kryesia e kuvendit vendosi këtë martë për thirrjen e Kryeministrit Hashim Thaci në interpelancë me datë 27 tetor.
 
“Stukturat paralele janë bërë faktor legjitim për KFOR-in, për zgjidhjen e çështjes së veriut. Mendoj se faktori kryesor për zgjidhjen e kësaj çështje duhej të ishte qeveria e Kosovës e cila duke marrë parasysh obligimet e veta Kushtetuese dhe për sovranitetin e Kosovës do të duhej të realizonte integritetin territorial dhe shtrirjen e ligjit në territorin e Kosovës “, theksoi kryetari i grupit parlamentar të Vetëvendosjes , Glauk Konjufca.

Vetëvendosje publikoi edhe tekstin e mocionit lidhur me situatën në veri për c’ka kërkon nga deputetet e tjerë që të votojnë pro. Katër pikat e mocionit përmbajnë cështje që i kemi dëgjuar disa herë nga deputetet e këtij subjekti parlamentar por të kthyera në një dokument llogari dhënës për qeverinë.
 
Vetëvendosje kërkon të ndërpriten bisedimet me Serbinë dhe të shfuqizohen marrëveshjet me këtë shtet deri sa ai nuk e njeh pavarësinë. Po kështu vetëvendosje kërkon që qeveria t’i dërgojë forcat policore në veri për të garantuar integritetin territorial dhe për heqjen e barrikadave atje. Pika e fundit e mocionit i kërkon qeverisë që t’ua presë burimet financiare strukturave ilegale të Serbisë, t’i arrestojë krerët e tyre dhe t’i shpërbëjë ato.

Top Channel