Kabineti qeveritar ka miratuar projektligjin për pensionet për shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës, i cili krijon parakushte për arritjen e kapaciteteve të plota operacionale, ndërsa kostoja e përgjithshme buxhetore e këtij ligji do të jetë mbi 4.4 milionë euro.
Zëvendësministri i FSK-së, Shemsi Veseli gjatë prezantimit të këtij projektligji tha se kostoja buxhetore do të vijë duke u rritur, pasi gradualisht sipas planit të miratuar, një numri të caktuar të pjesëtarëve të FSK-së do t’u ndërpritet shërbimi mbi bazën e moshës, kritereve shëndetësore e fizike dhe mbi bazën e verifikimit.
“Sot para jush paraqes projektligjin për pensionet e pjesëtarëve të FSK-së, i cili ka për qëllim përcaktimin e rregullave për sigurimin e bazës ligjore për pensionet e pjesëtarëve të FSK-së, duke përfshirë edhe pensionet e trashëgimtarëve të tyre. Çështje të cilat i adreson ky projektligj kanë të bëjnë me rregullimin dhe harmonizimin e pagesave financiare për pjesëtarët e FSK-së, pas ndërprerjes së shërbimit të tyre në FSK, të drejtat dhe përgjegjësitë e pjesëtarëve të FSK-së në rastet e pensionimit të tyre, trajtimi i tyre në rastet e lëndimit në vendet e punës, të drejtat e trashëgimtarëve në rastet e vdekjes së pjesëtarëve të FSK-së, si dhe kushtet për realizimin e këtyre të drejtave si dhe obligimet e pjesëtarëve apo trashëgimtarëve ndaj institucionit në rast të ndryshimit të rrethanave”, thotë Shemsi Veseli, zv/ministër i FSK-së.
Në të njëjtin kuadër, Ministri i Financave, Bedri Hamza tha se ky ligj është diskutuar edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar me qëllim që të krijohen kushtet paraprake që FSK-ja të ndërtohet dhe të ngrihet në bazë të standardeve të NATO-s. Ai tha se ky ligj i plotëson të gjitha kriteret që të procedohet më tutje.
“Për vitin e parë, për vitin 2012, kostoja e ligjit parashihet të jetë 648 mijë euro dhe Ministria e Financave i ka ndarë këto mjete në kuadër të buxhetit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Ky fond vjen duke u rritur në vitet vijuese. Për vitin 2013 vlerësohet të jetë kostoja 1.6 milionë, në vitin 2014 parashihet të jetë 2.8 milionë, në vitin 2015, 3.8 milionë dhe në vitin 2016 kur pritet të pensionohet numri i plotë prej 1407 personave, kostoja do të jetë 4 milionë e 400 mijë euro. Prandaj gjatë hartimit të kornizës afatmesme të shpenzimeve për periudhën e ardhshme, MMPS do të vijë me këto kërkesa dhe MF do ta ketë në konsideratë që ta rrisë buxhetin për këtë ministri, duke pasur parasysh këto kërkesa”, tha ministri Bedri Hamza.
Qeveria e Kosovë miratoi edhe raportin e performancës së ndërmarrjeve publike 2010, ndërsa caktoi edhe një afat prej 15 ditësh për regjistrimin e veturave për komunitetin serb në Kosovë.
Top Channel