Opozita maqedonase vlerëson se Maqedonisë i nevojitet një shtab krize pasi kriza që ka kapluar vendin në proceset euro-integruese mund të zgjërohet edhe në fusha tjera.

Gjatë debatit parlamentar për raportin e Komisionit Europian, deputetët e opozitës thanë se Maqedonia në 6 vitet e kaluara nuk ka shënuar asnjë progres në fushën e euro-integrimeve për shkak të politikës së gabuar dhe konfrontuese të qeverisë me partnerët ndërkombëtarë.

“Maqedonia tre vite me radhë pranon raporte ku nuk përmendet gjuha maqedonase. Maqedonia po I humb pozicionet e veta dhe për këtë duhet që dikush të mbajë përgjegjësi. Të nderuar kolegë, Kuvendi duhet të thotë se na nevojitet një shtab krize, sepse Maqedonia po hyn në një krizë e cila nuk është krizë e euro-integrimeve por mund të shndërrohet në krizë të vërtetë politike, ekonomike dhe krizë sociale”, deklaroi Radmilla Shaqerinska deputete e LSDM-së.

Për deputetët e mazhorancës raporti i Komisionit ishte pozitiv dhe njeh progresin e bërë pasi edhe këtë vit rekomandon fillimin e negociatave me Maqedoninë për anëtarësim në BE.

“Duhet ta pranojmë se opinioni në Maqedoni, ai politik dhe diplomatik, e dinë se shkaku i vetëm pse Maqedonia nuk i ka filluar negociatat për anëtarësim është bllokada nga ana e Greqisë që është vend anëtar i BE-së. Kurse sa i përket shtabit të krizës, formojeni në partinë tuaj sepse shihet qartë se ju nevojitet një gjë të tillë”, tha Antonio Milloshovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Raporti i Komisionit Europian që u publikua ka konstatuar se në Maqedoni është shënuar progres i vogël vitin e kaluar. Sfidat kryesore të këtij vendi, mbeten, gjyqësori i pavarur, reformat në administratë, lufta kundër korrupsionit dhe liria e mediave. Qeveria reagoi ashpër ndaj mos përdorimit të termit ‘maqedonas’ në raport.

Top Channel