Kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi gjatë një takimi me biznesmenët vendas, tha se politikat fiskale dhe politikat ekonomike në Kosovë ende nuk janë edhe aq të favorshme për bizneset, por ai kërkoi që edhe komuniteti i biznesit të bëhet pjesë e përgatitjes së ligjeve me amandimet e tyre, në mënyrë që të ketë politika më të favorshme për biznesin.

Ai këto komente i bëri gjatë një vizite që zhvilloi në Aleancën Kosovare të Biznesit.
Kryeparlamentari Krasniqi tha se zhvillimi ekonomik dhe ai i bizneseve ka vështirësitë e veta. Ai pranoi të flasë për gjendjen e bizneseve në Kosovë për shkak të pozitës që mban, por shtoi se politikat fiskale dhe ekonomike që u vendosën në fillim nga administrata ndërkombëtare, kanë krijuar një pabarazi për zhvillimin ekonomik dhe për zhvillimin e bizneseve në Kosovë.

“Unë po kërkoj nga ju, ligjet që i kemi miratuar dhe kanë pengesa për zhvillimin e bizneseve, t’i identifikojmë ku janë problemet, t’i gjejmë ku janë problemet dhe të bëjmë amendimet e ligjeve”, deklaroi zoti Krasniqi.

Krasniqi foli edhe për kamatat e larta të interesave bankare, që bëjnë tejet të vështirë zhvillimin e bizneseve. Përfaqësuesit e bizneseve shfaqën shqetësim, pasi ende po hasin në probleme, për eksportimin e mallrave në territorin e Serbisë. Lidhur me këtë, Krasniqi tha se Kosova bëri mirë që zbatoi marrëveshjen e arritur, por sipas tij shteti serb po luan një lojë parregulla.

“Realisht ne mirë që u treguam më të kulturuar dhe më të sjellshëm për të zbatuar një marrëveshje të arritur, por pala tjetër vërtet është ka luan pa rregulla dhe është shumë vështir ti të mbetesh në garë me rregulla me atë që është kundër teje në garë por pa rregulla, do të thotë është një pabarazi e madhe në këtë drejtim”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër kryetar i AKB-së, Agim Shahini edhe kësaj radhe theksoi problemin që biznesin vendor ende po vazhdon ta dëmtojë Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).

“Infrastruktura fizike është në përmirësim, por ende mbetet problem energjia elektrike, ku edhe Raporti i Progresit e qet një nga problemet, sepse kemi energji jo të mjaftueshme të ndërprerjeve dhe kjo po shkakton në prodhimin dhe zhvillimin e bizneseve në Kosovë. Bizneset gjatë masave të reciprocitetit patën një rimëkëmbje, një zhvillim, një ekonomi e cila u zhvilluar aq hovshëm sa që kjo do të mbetet në mend të bizneseve se si u zhvillua”, tha Agim Shahini Kryetar i AKB-it.

Për më tepër ai shtoi se raportet që po vijnë nga ndërkombëtarët shpesh nuk janë të mira dhe e kanë radhitur Kosovën për vite me radhë si një vend jo i përshtatshëm për zhvillimin e ekonomisë dhe jo i përshtatshëm për biznes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA