Ndërmjetësi i BE në bisedimet Kosovë-Serbi, Robert Cooper ka marrë nga delegacionet përkatëse konfirmime për gatishmërinë për vazhdimin e dialogut.

Lajmin e ka bërë të ditur Maja Kocijancic, zëdhënëse e shefes së Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton.

Megjithatë, zëdhënësja ka nënvizuar se Cooper ende nuk ka caktuar një datë të saktë për raundin e ri të bisedimeve.

“Shpresojmë që raundi i ardhshëm i dialogut të mbahet sa më shpejt të jetë e mundur. Aktualisht nuk mund të konfirmoj datën e saktë, por ndërmjetësi ynë, Robert Cooper ka marrë garanci nga Prishtina dhe Beogradi për vazhdimin e dialogut”, ka deklaruar Kocijancic për “REL”.

Sipas saj, që prej javës së kaluar Brukseli ka vijuar konsultimet me palët përkatëse, të cilat po shqyrtojnë mundësinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në raundet e fundit.

“Janë duke u mbajtur takime me grupet e punës, të cilat po vëzhgojnë implementimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut. Së shpejti do të raportohet për rezultatet eventuale”, ka saktësuar Kocijancic.

Bisedimet Prishtinë-Beograd u ndërprenë për shkak të krizës që shpërtheu në veri, pas nisjes së operacionit për marrjen nën kontroll të pikave kufitare.

Më herët gjatë muajit, ndërmjetësi Robert Cooper ishte në Beograd, ku nuk arriti të bindte zyrtarët serbë për fillimin e bisedimeve.

Ndërsa në Prishtinë, ndërmjetësi i Brukselit mori një garanci të qartë për gatishmërinë për vazhdimin e procesit me qëllim zgjidhjen e cështjeve teknike.

Beogradi kërkon që në bisedime të përfshihen edhe cështje politike, sidomos ajo për veriun e Kosovës, ndërsa kjo e fundit pretendon që dialogu të zhvillohet vetëm si dy vende të pavarura.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA