Filmohet varrimi i Gadafit

26/10/2011 23:10

Televizioni Al-Alan me qendër në Dubai, ka arritur të filmojë pamjet nga varrimi i  ish-udhëhëqesit të Libisë, Muamar Gedafi.

Agimin e së martës, përvec tij u varros i biri Mutasim si dhe këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Abu Bakër Junis.

Ish-udhëheqësi i Libisë u varros në një vend sekret në shkretëtirë, pranë Sirtes.

Sipas Sheikut Kaled Tantushi, një klerik i besuar i regjimit varrimi i tyre u bë sipas riteve myslimane. “Ata na lejuan të pastronim trupat dhe të bënim gjithcka që i bëhet cdo myslimani pas vdekjes”.

Ai shpjegoi se në ceremoninë e varrimit ishin të pranishëm të afërm, pjesëtare të Këshillit Lokal dhe atij ushtarak të Misuratas.

Këshilli Kombëtar i Tranzicionit është kritikuar nga grupet e të drejtave të njeriut për vrasjen e Muamar Gedafit. Zyrtarët libiane thanë se ai u vra, i gjendur në mes një shkëmbimi zjarri, por grupet e të drejtave të njeriut thonë se Gedafi dhe i biri, Mutasim, u ekzekutuan.

Ndërkohë ka lajme kontradiktore për vendndodhjen e Saif Al Islam, të birin e Kolonelit. Një prej zyrtarëve të Këshillit Kombëtar të Tranzicionit tha se ai është i gatshëm t’i dorëzohet Gjykatës së Hagës. Ndërsa burime të tjera thonë se nuk ndodhet në Libi, por në Niger.

Top Channel