Përfundimi i aksionit në zhvillim për heqjen e barrikadave në veriun e banuar me serbë do të pasohet me dy të tjera.

Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme ka paralajmëruar aksionin e radhës, atë për sundimin e ligjit në veri, që do ta pasojë këtë për zhbllokimin e rrugëve.

“Pas heqjes së barrikadave prioritet do të jenë zbatimi i rendit dhe ligjit. Njerëzit që kanë bërë vepra kriminale, për të cilat ka aktakuza dhe fletë-arrestime, do të vihen para drejtësisë”, ka thënë ministri Rexhepi, bën të ditur Telegraf.

Sipas tij, në veri të Mitrovicës dhe në tri komunat e tjera të veriut të banuara kryesisht me serbë – Leposavic, Zveçan e Zubin-Potok,  Kosova nuk ka mundur ta shtrijë autoritetin e vet kushtetues, prej më shumë se tri vjetësh që kur ka shpallur pavarësinë.

Barrikadat, sërish në rrugë

Që prej se enjtes kur KFOR-i filloi aksionin për largim të barrikadave në autostraden e Adriatikut, apo në rrugën Mitrovicë – Zubin Potok, që çon në pikë-kalimin kufitar 31 në Bërnjak, kjo nuk ka ndodhur ende.  Në fshatin Zupç, ndërsa pak metra më tutje mund të shihet njëra nga barrikadat, në këtë rrugë, që nuk është larguar ende, ndërsa pas saj janë edhe disa të tjera.

Serbët vazhdojnë të qëndrojnë në barrikada, të cilat i kanë vendosur që prej mesit të muajit shtator, ndërsa jo larg prej tyre, qëndrojnë ushtarët e NATO-s. Banorët serbë të Zupçit shpeshherë dalin në kodrën e fshatit që është afër rrugës për të vështruar ushtarët e KFOR-it që janë stacionuar aty, apo edhe kur mediat janë prezente.

Kryetarët ilegalë të komunave veriore, si Leposavic, Zveçan e Zubin Potok, dhe shefi i qarkut të Mitrovicës, vazhdojnë të kushtëzojnë lëvizjen e KFOR-it dhe EULEX-it, me garancitë që do të merrte kreu i shtetit serb nga këto misione se nuk do të transportojë doganierë dhe policë kufitar të shtetit të Kosovës për në portat kufitare veriore.

Por KFOR-i e ka bërë të qartë se nuk do të pranojë asnjë kusht kur bëhet fjalë për “lirinë e lëvizjes”. Njëri nga zëdhënësit e KFOR-it, Uve Novicki, citohet të ketë thënë gjatë së martës se “komandanti i KFOR-it u ka thënë shumë qartë kryetarëve të komunave në veri të Kosovës, të shtunën e kaluar, se liria e lëvizjes duhet të arrihet pa asnjë kusht, për çdokënd, dhe në çdo kohë”.

Top Channel