Analistët e çështjeve politike në Kosovë vlerësojnë se politika e
Beogradit zyrtar po vazhdon të jetë e dyanshme, në njërin drejtim ka
përpjekje për të mos i prishur raportet me Brukselin dhe në drejtimin
tjetër ka qëllimin ta mbajë nën tension situatën në veri të Kosovës.

Sipas tyre, këtë e dëshmojnë edhe deklaratat e fundit të kryetarit serb, Boris Tadic, i cili ka kërkuar nga përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës që të lejojnë lëvizjen e lirë të KFOR-it dhe EULEX-it.

Analisti Ismail Hasani thotë për radion Evropa e Lirë, se veprimet e KFOR-it e kanë demaskuar politikën e Beogradit.

​​“KFOR-i, me stepjen e vet, është duke prodhuar efekte shumë pozitive, për sa i takon daljes në sipërfaqe të politikës zyrtare të Beogradit, e cila realisht është duke u përpjekur që, në të njëjtën kohë, të luajë me dy karta – me Brukselin dhe me të ashtuquajturit përfaqësues ilegalë të serbëve që operojnë sot barrikadat e rrugëve”, thotë Hasani.

Deklaratat e përfaqësuesve serbë të veriut të Kosovës, pas takimit me kryetarin e Serbisë, nuk kanë qenë në favor të asaj që do të nënkuptonte se është arritur ndonjë pajtim në mes tyre dhe Tadiqit, lidhur me kërkesën e këtij të fundit për lirinë e lëvizjes së KFOR-it dhe të EULEX-it në veri të Kosovës.

Analisti Shenoll Muharremi thotë se Serbia po përpiqet të manovrojë dhe të krijojë pozicion më fleksibil karshi Brukselit.

“Serbët e veriut e kanë kuptuar se kur vjen momenti i interesit të vetë Serbisë, ata mund të mos jenë aq të përkrahur. Andaj, është një situatë tepër komplekse dhe e ndjeshme. Edhe pse Serbia po mundohet të prezantojë një ndryshim të qasjes së saj, unë mendoj se ajo nuk po e adreson problemin në esencë”, thotë Muharremi.

Të dy këta analistë vlerësojnë se deklaratat e fundit të kryetarit serb, Tadiq, se ka arritur një pajtueshmëri me serbët e veriut të Kosovës që t’i inkorporojë ata në grupet e ekspertëve të Serbisë në dialogun me Kosovën, janë tentime që në mënyrë të tërthortë t’i faktorizojë serbët e veriut dhe vetë veriun, duke e pretenduar si pjesë të veten përballë Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA