Minisria e Shëndetësisë e Kosovës, nënshkroi një marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit me Qendrën për Zhvillimin e Mjekësisë Familjare të Kosovës dhe Kolegjin Mbretëror të Mjekëve së Përgjithshëm të Britanisë së Madhe, ku në kuadër të këtij bashkëpunimi deri tani janë trajnuar mbi 500 specialistë të mjekësisë familjare.
Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë Ferid Agani tha se kjo marrëveshje garanton kujdesin parësor shëndetësor që në të ardhmën do të paraqesë shtyllën kryesore të shërbimeve shëndetësore.
“Rezultatet e këtij bashkëpunimi janë me të vërtet mbresëlënëse. Ne sot kemi mbi 500 mjekë specialistë të mjekësisë familjare, të cilët janë të trajnuar në kuadër të këtij bashkëpunimi dhe atë brenda një programi, i cili është i akredituar nga kolegji mbretëror i Britanisë së Madhe, që garanton një cilësi të trajnimit dhe me siguri një cilësi të kuadrit professional, i cili do të ofrojë shërbime për qytetarët tanë”, deklaron Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani.
Në të njëjtin kuadër, drejtoresha e Kolegjit Mbretëror të Mjekëve të Përgjithshëm të Britanisë së Madhe, Iona Hill tha se prioritet në këtë memorandum bashkëpunimi, do të jetë përmirësimi i procesit të vlerësimit, në akreditimin ndërkombëtar të mjekëve familjarë.
“Prioritetet tona që janë të reflektuara në këtë memorandum bashkëpunimi janë, për përmirësimin e procesit të vlerësimit në akreditimin ndërkombëtar të mjekëve familjarë. Jemi duke kërkuar edhe bashkëpunëtorë të tjerë që të na ndihmojnë në këtë proces. Deri tani kemi Maltën dhe Egjiptin. Tani Kosova është duke i përcaktuar standardet e veta për trajtimin në mjekësisë familjare dhe shpresoj që në të ardhmen do të fuqizohet edhe më shumë”, thotë Iona Hill.
Hill gjithashtu vlerësoi angazhimin e autoriteteve kosovare për të krijuar sa më shpejt fondin për sigurime shëndetësore dhe projektin e sistemit të informimit shëndetësor.
Top Channel