Presidenti Barack Obama dhe Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta janë informuar për trazirat në veri të Kosovës dhe reagimin profesional të ushtarëve amerikanë.

Këtë e deklaroi gjenerali amerikan, Craig R. McKinley, i cili vizitoi kampin “Bondsteel” në Kosovë. Gjenerali ka sjellë përkrahjen e Obamës për përpjekjet e KFOR-it në veri, njofton agjencia e lajmeve “Kosovatimes”.

“Lajmet për trazirat në veri të Kosovës dhe përgjigja profesionale e forcave të SHBA-ve kanë arritur deri te Sekretari i Mbrojtjes dhe Presidenti i SHBA-ve”, u ka thënë ushtarëve amerikanë në kampin “Bondsteel”, gjenerali McKinley.

Ai ka shtuar se krerët e forcave të armatosura amerikane dhe Presidenti Barack Obama janë të kënaqur me punën e KFOR-it dhe kanë shprehur përkrahje për përpjekjet e forcave paqeruajtëse në Veri.

“Ata të gjithë janë të kënaqur me mënyrën me të cilën ushtarët kanë reaguar dhe kanë shprehur përkrahjen e tyre për përpjekjet e KFOR-it për uljen e tensioneve dhe kërcënimeve ndaj sigurisë”, ka thënë McKinley.

Top Channel