Brune dhe jo e bukur. Me sy që të përpijnë, me gjallëri të ethshme, mrekulli e filmit dhe e teatrit, është pikërsiht ajo: Drita Pelingu.
Është një prej aktoreve më të mëdhaja të filmit shqiptar, ndër femrat simbol të kinemasë realiste dhe asaj të rindërtimit, e paharrueshme në rolin e saj në filmin ‘Njeriu me top’, në moshën 51-vjeçare.
Bijë e një shtrese problematike për ish-sistemin komunist, me një stil unik, Pelingu u bë përfaqësuese e origjinës së saj. E ndjeshme dhe bujare, e vlerave të padiskutueshme të Shqipërisë së vogël. Pasionante, por në gjendje të lëvizë me ëmbëlsi, e paparashikueshme dhe me një përshtatshmëri të përkryer në mbrëmjen e 23 tetorit e gjen në Teatrin Kombëtar gati për një tjetër shfaqje, në rolin e Rebekës tek ‘Shtrigat e Salemit’.
“Gjithmonë para shfaqjeve unë dua të puth dorën e Timo Fllokos”, shprehet Pelingu para se të performojë në skenë së bashku me aktorin e njohur shqiptar.
Një vendim jo i zakonshëm për t’ju rikthyer skenës në moshën 85-vjeçare pas humbjes së vajzës dhe mbesës së saj. Kjo grua e fortë, por me shpirt të trazuar, po përgatitet për një tjetër shfaqje.
“Mezi e pranova rolin për shkak të gjendjes sime shpirtërore. Më dukej sikur kisha rënë në greminë dhe më dukej se nuk do të dilja dot më”, thotë Pelingu.
Aty ku magjia e zezë kryqëzon Eva Alikajn dhe Timo Fllokon, ku paranoja kthehet në tragjedi.
“Nuk e kam të lehtë sepse dramat shpirtërore nuk zbehen me kalimin e kohës. Në rastin tim është pak të thuash dramë, ishte gjëmë, por kur vij këtu dhe mendoj për rolin sikur qetësohem”, thekson aktorja.
Magjistarja e roleve, mes filmit dhe teatrit, duket se ka zgjedhur këtë të fundit. Aty ku enden shpirtrat e Naim Frashërit, Sulejman Pitarkës, Kadri Roshit dhe Violeta Manushit ajo ka arritur të ndalojë kohën duke mbetur mes roleve që i ka dhënë frymë e shpirt.
“Kur vjen darka dhe je vetëm të mbetet të flasësh me fotografitë”, tregon Pelingu.
Askush nuk do t’i harrojë sytë e saj të thellë, të qeshurën dhe ironinë karakterizuar nga dashuria dramatike dhe gjithëpërfshirëse. Të gjitha kontrastet e bëjnë atë një karakter unik, jashtë normave. Me fjalë të tjera: një mit.
Top Channel