A rrezikohet ekonomia shqiptare?

25/10/2011 00:00

Leonard Boduri – Të dhënat nga burimet qeveritare i japin ekonomisë
shqiptare “medaljen e bronztë” në rang botëror, duke e renditur për
ritmet e rritjes ekonomike pas Kinës dhe Gjermanisë.

Pa i hyrë diskutimit të vazhdueshëm, mbi integritetin e institucioneve “të pavarura” që servirin të dhëna optimiste gjatë gjithë kohës, duhet të pranojmë se ekzaminimi i saktë i problemeve të çfarëdo natyre ndihmon palët e interesuara të kuptojnë se ku duhet të ndërhyjnë për të përmirësuar gabimet. Deklaratat qesharake mbi dominim ekonomik botëror nga një vend si Shqipëria i ngjajnë festimeve entuziaste me ditë të tëra të tifozëve euforikë, para ndeshjeve zyrtare të Kombëtares sonë të futbollit, që në shumicën e rasteve na kanë zhgënjyer. Në mënyrën e perceptimit të realitetit ekonomik nga vendimmarrësit, që na kanë rënë për pjesë, kemi boshllëqe të mëdha.

Futja e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së dhe pajisja e bizneseve me kasa fiskale, pavarësisht se u shoqëruan me kundërshtime të çuditshme, është një nga reformat fiskale që duhej të ishte bërë me kohë. Sigurisht ndërtimi i sistemit të kasave fiskale është një aset i rëndësishëm që i shërben përmirësimit të kontrollit fiskal dhe ekonomik të vendit, duke luftuar “evazionin fiskal”. Termi “evazion”, për të qenë korrektë në përdorim, do të thotë “të mos kesh dëshirë të japësh përgjigje të vërtetë ndaj një pyetjeje”. Nëse do të kthehemi në kuptimin e saktë financiar të termit do të duhet të gjejmë një përshtatje më të mirë gjuhësore në shqip dhe ta pagëzojmë si “mashtrim financiar” ose “krim financiar”. Problematika e evazionit fiskal nuk është një problem që i takon vetëm bizneseve dhe institucioneve shtetërore, por të gjithë qytetarëve të përfshirë në marrëdhënie financiare dhe ekonomike në vend. Evazioni nuk është vetëm me një problem ekonomik apo politik, por deri-diku edhe kulturor.

Pasqyrimet “antisistem” të së shkuarës totalitare ndikojnë në sjelljen konsumatore, duke reflektuar një qëndrim armiqësor dhe aspak bashkëpunues me institucionet fiskale. Në vendet e zhvilluara me sistem të shëndoshë fiskal, edukimi i qytetarëve mbi sistemin e taksave fillon që në moshë të vogël dhe është i pranuar gjerësisht. Çështja e edukimit fiskal sigurisht nuk mund të jetë në të njëjtën linjë me atë të ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës që fajësonte qytetarët e paedukuar për trafikun në kryeqytet. Qytetarët e këtij vendi kanë një arsye të fortë për të mos deklaruar fitimet nga të ardhurat e tyre dhe për të mos bashkëpunuar me institucionet fiskale në favor të frenimit të “krimit financiar”. Norma e lartë e korrupsionit dhe e keqpërdorimit të të ardhurave të përbashkëta, nga ana e institucionet qeverisëse qendrore dhe vendore, është një arsye e fortë për qytetarët që të bashkëpunojnë me biznesin në favor të rritjes së “mashtrimit financiar”.

Në lidhje me rritjen e normës së korrupsionit dhe evazionit fiskal kemi arsye plot të mburremi me krenari dhe të kërkojmë “medaljen e artë”, sepse e meritojmë. Evazioni fiskal është bërë pjesë normale e kulturës shqiptare. Është e rrallë dhe deri diku shikohet me dyshim kërkesa për t’u pajisur me një faturë me TVSH, kur bën pazarin dhe blen ushqimet e përditshme te dyqani poshtë pallatit. Vështirë se mund të kujtohet njeri të të ofrojë faturën, kur je duke u furnizuar me karburant apo kur je duke paguar tarifën për parkim në disa parkime private pa tabela. Maksimumi që mund të të ofrohet në rast se e kërkon është një pyetje e veshur me dyshim dhe qesëndi: “Pse për çfarë mund të hyjë në punë fatura”? Për të qenë korrektë duhet të përjashtojmë nga kjo dukuri e përhapur kompanitë më të mëdha në tregun vendas dhe zinxhirin e shërbimeve të tyre që kanë sjellë standarde korrekte fiskale.

Pyetja që qëndron mbi të gjithë taksapaguesit është nëse duhet të paguajnë dhe të deklarojnë të ardhurat e tyre reale apo të vazhdojnë të mashtrojnë një shtet të korruptuar. A është më mirë që këto para që nuk deklarohen të rrinë në xhepat e qytetarëve, me qëllim që të mirëmenaxhohen, apo të shkojnë në duart e institucioneve të papërgjegjshme dhe të korruptuara? Jemi para një rrethi vicioz. A duhet të presim nga politika që të bëjë lëvizje e para, pavarësisht se ka 20 vjet që nuk ka lëvizur nga vendi, apo duhet të fillojmë të imponojmë kushtet tona ndaj organeve qeverisëse, që teorikisht kanë vetëm detyrë të na shërbejnë? Çfarë do të ndodhte nëse do të fillonim menjëherë dhe në mënyrë radikale të paguanim me përpikëri detyrimet fiskale sipas ligjit?

Mendoj se do të fillonim menjëherë të ishim pak më të ndjeshëm ndaj rasteve të panumërta të korrupsionit. Duke e ndjerë peshën e korrupsionit në kurriz të parave të tatimeve dhe taksave që kemi paguar me përpikëri do të fillojmë të kemi të drejtë të kërkojmë llogari dhe të ngremë zërin ndaj padrejtësive financiare. Për të funksionuar, sistemi duhet të përjashtojë trajtimet preferenciale për subjektet tatimpaguese dhe të vendoset një standard i drejtë dhe i pranuar nga të gjithë. Do të nevojitej gjithashtu një paketë stimulimi për të gjithë qytetarët. Ata duhet të jenë të interesuar të kërkojnë faturat që paguajnë çdo ditë. Nga ana tjetër një paketë stimulimi për të denoncuar rastet e korrupsionit do të siguronte aleancën e qytetarëve kundër këtij fenomeni shqetësues për të gjithë shoqërinë.

Binomi evazion-korrupsion, që kërcënon ekonominë shqiptare, përbën një nga shkaqet kryesore të krizës financiare të fqinjit jugor. Problematikat financiare-ekonomike, që kanë shoqëruar Greqinë në dhjetëvjeçarin e fundit, kanë një ngjashmëri të frikshme me problematikat që hasim përditë në ekonominë tonë. Politikat populiste që kanë mbizotëruar vendimet mbi financat publike të Greqisë kanë shkaktuar krizën më të rëndë në Eurozonë. Shqipëria, e ndikuar nga kriza financiare botërore, është më e ekspozuar për shkak të partneritetit të rëndësishëm tregtar me Greqinë, si dhe për numrin e madh të emigrantëve shqiptarë që ndodhen në fqinjin jugor. Sigurisht nuk është vetëm binomi i rrezikshëm evazion-korrupsion shqetësimi i vetëm për ekonominë e vendit. Një arsye tjetër për t’u shqetësuar është edhe fakti se në Shqipëri nuk mungon tifozeria politike e institucioneve “të pavarura”, që duhet të ofrojnë të dhëna të besueshme për të bërë një analizë të saktë ekonomike. Pavarësisht besueshmërisë të të dhënave zyrtare, problemi i evazionit fiskal apo i “krimit financiar” është një sfidë e madhe për shoqërinë shqiptare dhe përfaqësuesit e “shërbimit dhe shërbesave” që na serviren nga partitë politike. Kjo situatë fiskale që na bën të jemi bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës duhet të marrë fund. Duhet të rishihen edhe një herë rregullat e lojës së funksionimit të zinxhirit fiskal, me qëllim që të shmanget një tjetër krizë e rëndë financiare në Ballkan…

Gazeta “Shqip”

Top Channel