Amerikano-iraniani që dyshohet si anëtar i një grupi terrorist që po hartonte planin e eleminimit fizik të ambasadorit të Arabisë Saudite në Uashington, doli para gjykatës në Nju Jork.
Manssor Arbabsiar, 56 vjec, një shtetas amerikan me pasaportë iraniane dyshohet se ka patur lidhje me forcat e ashtuquajtura Quds, të cilat janë pjesë e Gardës Revolucionare të Iranit.
56 vjecari mohoi para gjykatës akuzat e ngritura kundër tij dhe e shpalli veten të pafajshëm. Por oficerë të policisë federale amerikane thanë se gjatë marrjes në pyetje, ai kishte pranuar lidhjet e tij me forcat Quds dhe planin për vrasjen e ambasadorit saudit.
Arbabsiar u arrestua në aeroportin J.F.K më 29 shtator. Shtetet e Bashkuara thonë se ai është ndihmuar nga shtetasi tjetër iranian, Gholam Shakuri që është edhe anëtar i forcave Quds.
Ngjarja e fund-shtatorit përshkallëzoi edhe më tej tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Uashingtoni akuzoi Teheranin për shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe organizimin e sulmeve terroriste kundër një shteti tjetër. Vetë presidenti Obama deklaroi pas ngjarjes se Irani do të merrte përgjigjen e duhur për përfshirjen e tij në akte terroriste kundër interesave amerikane.
Por Irani mohoi akuzat e SHBA-së. Vetë presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad tha në një intervistë për televizionin arab, Al Jazeera se akuzat janë trillime dhe se vendi i tij ka marrëdhënie miqësore me Arabinë Saudite.
Top Channel