Pranë Parlamentit të Maqedonisë në Shkup, të dielën është përuruar përmendorja qëndrore për pjestarët e forcave maqedonase që humbën jetën gjatë konfliktit të vitit 2001.

“Dua të faleminderoj qeverinë e Maqedonisë që na ka ndihmuar në ngritjen e kësaj përmendoreje. Po ashtu dua të them se familjarët e ushtarëve maqedonas të vrarë në konfliktin e vitit 2001 janë  të kënaqur nga përmbushja e kërkesave të tyre. Vlerësoj se 98% e kërkesave janë përmbushur nga qeveria”, thotë Vllado Stojanov, kryetar i Shoqatës së familjarëve të ushtarëve maqedonas.

Ngritja e kësaj përmendoreje ka nxitur një reagim të ashpër të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK-së në Maqedoni. Sipas kësaj Organizate, përmendorja është në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe me të kryeministri Gruevski ka për qëllim falsifikimin e historisë së konfliktit të vitit 2001.

“Ndërtimi i kësaj përmendoreje para organit më të lartë legjislativ, ku përfshihen edhe disa emra të shqiptarëve dëshiron të devijojë totalisht historinë duke dashur të dëshmoj që UCK-ja nuk ka qenë një formacion që nuk është mbështetur totalisht nga gjithë shqiptarët, por vetëm nga një grup shqiptarësh, ashtu sic kishte deklaruar në vitin 2001 dhe vazhdon të trajtojë shqiptarët, njerëzit që rrokën armët për të fituar të drejtat e tyre si një formacion që ka dashur të lëkundë shtetin e Maqedonisë”, deklaron Besim Hoda, Kryetar i OVL-UCK  në Maqedoni.

Organizata e Veteranëve të UCK-së reagon edhe ndaj qasjes selektive të pushtetit kur bëhet fjalë për konfliktin e vitit 2001. Derisa për ushtarët maqedonas dhe familjarët e tyre shteti tregon vazhdimisht përkudesje përmes investimeve të ndryshme, për ushtarët e UCK-së në Maqedoni edhe 10 vite pas përfundimit të konfliktit nuk mund të sillet një ligj që rregullon statusin e tyre juridik.

Top Channel