Lidhja Demokratike e Kosovës paralajmëron qeverinë e kryeministrit Thaci se nuk do ta votojë projekt-ligjin për buxhetin e vitit 2012 në qoftë se ai nuk është në përputhje me të hyrat e pritura.

Grupi i ekspertëve i këtij subjekti politik, duke iu referuar raportit të progresit të Komisionit Europian, kritikoi qeverinë për thellimin e krizës ekonomike në Kosovë.

“Qeveria pritet ta mbyllë vitin me deficit të thellë, por i cili do të mbulohet duke i harxhuar pothuajse plotësisht mjetet buxhetore të akumuluara nga vitet paraprake. Kjo do të rrezikojë seriozisht likuiditetin e institucioneve. Ne konsiderojmë se buxheti i vitit 2012 duhet të jetë në linjë me të hyrat e pritura, e jo buxhet i thellimit të krizës. Vetëm një buxhet të tillë mund ta përkrahë LDK-ja në parlament. Masat për zbutjen e deficitit buxhetor nuk mund të konsistojnë në mospagesën e faturave për shpenzimet publike të bëra, sic po vepron tani qeveria”, thotë Avdullah Hoti, ekspert i ekonomisë i LDK.

LDK citon raportin e progresit se obligimet e pa paguara të qeverisë për kontrata të ndryshme janë 32 milionë euro, rrjedhimisht bizneset kurdoherë mund të paditin qeverinë në gjyq për dëmet që po u shkaktohen.

Niveli i lartë i papunësisë është një tjetër fenomen që shqetëson partitë opozitare në Kosovë. Sipas LDK-së rreth 350 mijë të papunë dhe 119 familje të varfëra nuk mjaftohen vetëm me ndërtimin e autostradës Vërmicë-Mërdar, me aksione në veri dhe me masa të paqëndrueshme reciprociteti.

Kritikat për ndërtimin e autostradës vazhdojnë edhe në një segment tjetër. Për LDK-në është e papranueshme që po thuaj gjitha firmat kontraktuese të Bechtel-Enkas t’i takojnë biznesit rumun.

Lidhja Demokratike e Kosovës radhiti disa nga dështimet, sic i quajti ajo të qeverisë së kryeministrit Thaci, e këto janë procesi i privatizimit i PTK-së, plani ekonomik i hartuar në Bullgari të cilit nuk po i shihen rezultatet, mosmarrëveshjet me Fondin Monetar Ndërkombëtar etj.

Top Channel