Ideja për të kufizuar qeverinë në marrjen e borxhit gjen mbështetje edhe tek ekspertët më të mirë brenda maxhorancës.

“Është një shqetësim, mekanizmi që duhet zgjedhur ka nevojë për më shumë debat profesional”, ka deklaruar eksperti Selami Xhepa.

Por ekspertët ndahen mbi rrugën se si borxhi duhet të mbahet nën kontroll. Selami Xhepa, deputet i së djathtës në Parlement, thotë se rruga më e mirë është ajo e kufizimit të shifrës së shpenzimeve me ligj.

“Një rregull më efikas do ishte vendosja e një rregulli që rrit normën e shpenzimeve publike në nivelin e rritjes ekonomike, që do ta conte në një trajektore që vjen në ulje”, ka sugjeruar Xhepa.

Ndërsa deputeti tjetër demokrat, Sybi Hida, mbështet një tjetër variant. Atë që fuqizon kompetencat e Parlamentit, por edhe ekspertëve të pavarur në menaxhimin dhe mbikëqyrjen e borxhit.

“Parashikimet makroekonomike të mos bëhen më nga qeveria, por nga një grup i posacëm ekspertësh të pavarur, që do të jetë pranë Parlamentit”, ka propozuar Hida.

Edhe opozita e majtë në vend është shpesh e shqëtësuar për kërcënimet që i vijnë buxhetit nga kapërcimi i borxhit përtej limiteve, apo përdorimi i tij për interesa elektorale.

Kohët e fundit deputetë të saj kanë dhënë edhe disa propzime. Një nga këto ishte propzimi i fundit i Ben Blushit për ta kufizuar borxhin me Kushtetutë. Frika nga borxhi bëri që interesat e bonove të thesarit të qeverisë të reduktohen.

“Dehja” nga borxhi

Qeveritë e kanë të vështirë t’i rezistojnë tundimit për të marrë borxh, jo vetëm në vite krizash, por edhe në kohë të mira për ekonominë.

Viti 2008 ka qenë më i miri për financat publike të Shqipërisë, të paktën në dekadën e fundit. Të ardhurat nga taksat kërcyen me 500 milionë dollarë, rritja më e fortë historike.

Por sërish borxhi, jo vetëm që nuk u ul, por u rrit pasi në prag të zgjedhjeve qeveria i rriti shpenzimet edhe më shumë nga sa ishin rritur të ardhurat.

Situata u përkeqësua më shumë një vit më vone, kur kriza globale përkonte edhe me zgjedhjet e përgjithshme. Deficiti kaloi mbi 7 për qind të prodhimit kombëtar, borxhi kërceu tek maja e kufirit 60 për qind.

Në fushën e financave publike përdoret një shprehje, ajo që borxhi krijon varësi dhe është i fuqishëm njëlloj sa droga dhe alkoli.

Që qeveritë të mos dehen, apo të krijojnë varësi, sistemi u ka dhënë qytetarëve vetëm një mekanizëm. Parlamentin. Por përvoja ka treguar se kjo nuk ka mjaftuar. Madje, as në vendet më demokratike, aty ku Parlamenti me të vërtetë nuk është nën ombrellën e qeverisë.

Ndërsa në demokracitë e brishta si Shqipëria, ku gjasat që Kuvendi t’i bjerë ndesh ekzekutivit janë diku afër zeros, nevoja për të kufizuar qeverinë është edhe më e madhe. Në të kundërtën, të gjithë skenarët, tejet të rrezikshëm,  janë të mundshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA