Pakistani fitoi karrigen e anëtarit të përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, cka do të thotë se për dy vitet e ardhshme, duhet të punojë me fqinjin rival, Indinë e cila përfundon mandatin vitin e ardhshëm.
Islamabadi do të mbajë karrigen e anëtarit për dy vitet e ardhshme. Analistët thonë se rivaliteti dhe pretendimet territoriale që kanë ndaj njëra-tjetrës, nuk do të pengojë Pakistanin dhe Indinë të punojnë së bashku. Dy fuqitë bërthamore të Azisë Jugore, ndajnë thuajse të njëjtin qendrim përsa i përket cështjeve ndërkombëtare; që të dy vendet janë kundër sanksioneve shtesë ndaj Iranit e Sirisë si dhe mbështetës të krijimit të shtetit palestinez në Lindjen e Mesme, dy cështjet që pritet të jenë kryetema të mbledhjeve të Këshillit të Sigurimit në dy vitet e ardhshme.
Bashkë me Pakistanin, statusin e anëtarit të përkohshëm e morën edhe Maroku, Guatemala dhe Togo. Cdo vit ripërtërihen pesë nga 10 anëtaret e përkohshme të Këshillit të Sigurimit. Anëtarja e pestë për këtë vit, që i përket Europës, nuk është zgjedhur ende pasi ndodhet në fazën e kontestimit, proces që niset nga vendet të cilat shprehin pakënaqësi për një kandidaturë të caktuar.
Këshilli i Sigurimit përbëhet nga 15 vende anëtare, prej të cilave 5 janë anëtare të përhershme, SHBA, Kinë, Rusi, Francë dhe Britani e Madhe dhe 10 janë anëtarë të përkohshëm që ripërtërihen cdo vit pesë e nga pesë.
Top Channel