Manchester City do të përballet ditën e dielë me rivalët e të njëjtit qytet, Unitedin, në atë që do të jetë mbi të gjitha në një ballafaqim midis dy prej miliarderëve më të mëdhenj në botë.
Nga njëra anë do të jetë një “bos” amerikan, i cili është gjithashtu pronar i klubit gjigant të bejzbollit, “New York Yankees””. 83-vjeçar, Malcolm Glazer ka shijuar në maksimum frytet e “perandorisë” që përvetësoi në vitin 2005, me klubin që i ka dhuruar një Champions, disa tituj kampionë dhe disa qindra milion euro më shumë në llogaritë e tij.
Sipas revistës “Forbes”, pasuria e tij është rreth 2,6 miliardë dollarë, gati sa buxheti i shtetit shqiptar në një vit, por një shumë e tillë, mund të jetë fare mirë për pronarin e Cityt vetëm një “bakshish” për t’i dhënë një kamarieri.
Në të vërtetë, antari i familjes së madhe emiratase, Al Nahyan, sheiku Al Mansour është në krye të një grupi që ka krijuar një fond investimesh prej 150 miliardë eurosh. City, ishte një prej investimeve të “vogla” të grupit, me vlerë prej 750 milion paund ose një miliardë, duke llogaritur edhe fushatën e fuqishme të merkatos dhe përmirësimet në infrastrukturën e klubit.
Shumë larg nga pikëpamja kultutore, fetare dhe zakonore, Glazer dhe sheiku Mansour ndajnë midis tyre vetëm diçka të njëjtë, pasionin për sportin. Për këtë arsye, kur ditën e nesërme të zhvillohet derbi i madh i qytetit të Mançesterit, një luftë e veçantë do të jetë edhe ajo që do të vërehet në tribunat e stadiumit.
Top Channel