Trajneri i tanishëm i kombëtares angleze, Fabio Capello, u ndal gjerë në përvojën e tij angleze dhe aktualitetin e futbollit italian, në një intervistë të publikuar të shtunën në faqet e të përditshmes sportive italiane, “La Gazzetta dello Sport”, ndërsa zbuloi “mallkimin” që quhet Inter.
Mallkimi Inter – ”Kam qenë shpesh herë pranë Interit në jetën time, por asnjëherë nuk është realizuar asgjë. Është një lidhje e mallkuar që nuk ka për t’u realizuar kurrë”, shprehet Capello. “Isha vetëm 18 vjeç kur babai i Morattit kërkoi të më merrte në skuadrën e tij si futbollist, por presidenti i SPAL-it (skuadër që sot luan në C1) tha jo. Që prej atëherë, kam qenë shumë herë afër, por nuk kam çfarë të bëj, s’është e thënë dhe s’kam për të shkuar kurrë atje”.
Seria A – “Kampionati i sivjetëshëm është i paprashikueshëm, kjo edhe për shkak të rikthimit në nivele të larta të Milanit dhe Juventusit. Mendoj se edhe Roma ka për të qenë një skuadër e rrezikshme. Napoli është një realitet i bukur, ndërsa Interi do të forcohet dhe pa dyshim që do të jetë në luftë për vendet e para. Lojtarë anglezë në Serinë A? Nuk ka shpresë. Buxhetet e 4-5 skuadrave kryesore të Premier League janë shumë më të larta. Vetëm Barcelona dhe Reali i Madridit janë në gjendje t’i konkurrojnë”.
E ardhmja jashtë Italisë – “Jam koherent në ato që kam thënë. Pas Europianit besoj se nuk do të vazhdoj të drejtoj më Anglinë, por do të qëndroj në futboll. Kam dëshirë të drejtoj ndonjë skuadër të rëndësishme, por jo në Itali. Do të doja të isha trajner-manaxher, të drejtoja dhe skuadrën dhe fondet, por në Itali nuk ekziston një koncept i tillë”.
Del Piero – “Futbollistët që përfaqësojnë një klub si Del Piero, Totti apo Maldini në të shkuarën, fatkeqësisht janë një specie në zhdukje. Për këtë arsye, është shumë e bukur të shohësh ata që kanë mbetur, por klubet e sotme duan rezultate. Më vjen keq që ky për të është viti i fundit, por nuk pres që të qëndrojë të gjithë sezonin në stol. Do ta shihni që ka për të patur një rol prej protagonisti”.
Top Channel